Kombëtarja shqiptare është gati për një nga sfidat më të rëndësishme të eliminatoreve të Kupës së Botës 2026. Të shtunën në mbrëmje, 11 tetor, ora 20:45 në stadiumin “Duboçica” të Leskovacit, Shqipëria përballet me Serbinë në një ndeshje vendimtare për fatin e Grupit K dhe për ëndrrën e madhe të “Play Off”-it. Ndeshja do të transmetohet ekskluzivisht dhe falas në ekranin e televizionit Klan.
Skuadra e Sylvinhos u nis të premten nga aeroporti i Rinasit dhe ka zhvilluar përgatitjet e fundit në Serbi, ku trajneri ka punuar intensivisht për të përcaktuar formacionin ideal, pavarësisht disa dilemave në repartin ofensiv. Shqipëria vjen pas një forme solide: pesë ndeshje pa humbje, tri fitore dhe dy barazime, përfshirë suksesin ndaj Letonisë. Një fitore në Leskovac do të ishte e treta radhazi, një arritje që nuk është regjistruar që nga tetori 2023.
Serbia, e cila kishte nisur eliminatoret pa humbje dhe pa pësuar gol, u trondit në ndeshjen e fundit me humbjen 5-0 ndaj Anglisë në Beograd, disfata e parë në shtëpi që nga shtatori 2023. Megjithatë, skuadra e Dragan Stojković mbetet e fortë në fushën e saj, ku kishte mbajtur portën të paprekur në pesë ndeshje radhazi para përplasjes me anglezët.
Në orën 16:30 të së premtes, trajneri Sylvinho dhe kapiteni Elseid Hysaj zhvilluan konferencën zyrtare për mediat dhe më pas stërvitjen e fundit në stadium
