Sërish tensione në veri të Kosovës, policia hedh gaz lotsjellës

KOSOVA


Sërish tensione janë shënuar në veri të Kosovës, kryesisht në Zveçan dhe Zubin Potok, ku qindra serbë janë mbledhur pranë godinave të komunës për të mos lejuar kryetarët e sapozgjedhur të shkojnë në punë.

Qindra policë janë angazhuar për mbarëvajtjen e sigurisë, teksa është vënë re dhe prania e trupave dhe mjeteve të blinduara të KFOR.


Sipas mediave kosovare, në godinën e komunës në Zveçan, policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e njerëzve.

Mes të pranishmëve vihet re dhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq i cili ka biseduar dhe me drejtuesit e KFOR në lidhje me situatën.

Ai tha se kërkesa e serbëve është që kryetari i ri i komunës, Ilir Peci, të mos hyjë në objektin komunal, si dhe kërkoi nga KFOR-i që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet speciale nga kjo zonë.

Tensionet nisën disa ditë më parë, pasi në 4 komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet e 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi zgjedhjet u bojkotuan nga partitë serbe. 4 kryetarët shkuan në zyrë, por kjo u shoqërua me tensione, që përfunduan me 5 policë të plagosur dhe një retorikë të ashpër mes 2 qeverive.




Skip to toolbar