Ndërsa pasditen e së hënës pritet të nisë sesioni i ri parlamentar, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato ka dhënë një mesazh. Në një postim në platformën X, Gonzato shprehet se zbatimi i reformave të nevojshme për anëtarësimin kërkojnë një parlament funksional dhe bashkëpunim mes partive.
“Falë procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit, Shqipëria ka tani një pasqyrë të qartë të reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Ashtu si i thashë ministres Elisa Spiropali gjatë takimit tonë të parë [të premten], zbatimi i këtyre reformave do të kërkojë funksonimin efektiv të parlamentit dhe një bashkëpunim të mirë midis të gjitha institucioneve.
Të gjitha forcat politike duhet të punojnë së bashku për axhendën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, duke reflektuar vullnetin e fortë të qytetarëve shqiptarë për t’u anëtarësuar në BE.”, shkroi ambasadori.