SHBA-BE, kundër kryegjyqtarit Selita: Kreu transaksione me palët në gjykim

AKTUALITET


Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, i përbërë nga ekspertë të SHBA dhe BE, ka dalë kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vendimin e marrë ndaj Kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Kastriot Selita, i cili u konfirmua në detyrë me shumicë votash.

ONM ka gjetur disa shkelje, që sipas ekspertëve ndërkombëtarë nuk janë marrë në konsideratë nga KPK, duke filluar që nga mosjustifikimi i disa pasurive të tij, por edhe për dy transaksione të Kastriot Selitës me palët në gjykim. Pas rekomandimit të ONM, të cilët e kanë konsideruar hetimin e kryer për Selitën si “të paplotë dhe të paqartë”, Komisioneri Publik ka vendosur të ankimojë pranë Komisionit të Posaçëm të Apelimit.

Komisioneri Publik i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të rihetojë deklarimet e subjektit, të personave të lidhur si dhe kryerjen e një analize të re financiare me qëllim justifikimin e burimit të ligjshëm të këtyre pasurive. Ndërsa lidhur me vlerësimin e aftësive profesionale, ku përfshihen edhe rastet e konfliktit të interesit, komisioneri Ballhysa e konsideron të cënueshëm vendimin e KPK-së për Selitën.

Ankimi i Komisionerit Publik për kriterin e pasurisë është i ngjashëm me rekomandimin e ONM-së dhe përfshin disa vlera monetare të bashkëshortes së Selitës me burim shitjen e një vile 2-katëshe të prindërve në Linzë; konkretisht 30 mijë euro, 61 758 euro, 20 mijë euro dhe 4365 euro. Ankimi përfshin gjithashtu paqartësitë mbi burimin e shumës prej 2.9 milionë lekësh të përfituara nga një vendim divorci, ligjshmërinë e të ardhurave të personit të lidhur nga punësimi në një organizatë në vitet 1999-2004 si dhe deklarimet kontradiktore mbi koston e vilës në Linzë; që sipas Komisionerit Publik mund të sjellin efekte në analizën financiare të subjektit. Ndërkohë, një tjetër dyshim i ONM është pagesa me vonesë e taksave dhe tatimeve nga Selita shumë kohë jashtë afateve ligjore.

Ndërsa për kriterin e aftësive profesionale, ONM ka dyshime nëse vlerësimi i shumicës “i aftë” për subjektin e rivlerësimit është i përshtatshëm, duke pasur parasysh faktet e këtij rasti. “Në disa çështje gjyqësore, ku subjekti, në cilësinë e anëtarit të trupit gjykues, ose të relatorit, ka vepruar në situatën e konfliktit në dukje të interesit, pasi subjekti ka kryer dy transaksione shitblerje me palët në gjykim dhe nuk ka paraqitur dorëheqje nga proceset gjyqësore, ku një nga palët janë organet tatimore, konsideruar faktin që personi i lidhur, bashkëshortja e tij, ka një pozitë të rëndësishme dhe me influencë: vërejnë ekspertët e ONM.

Në këto kushte, ONM ka kërkuar që të ndërmerret një hetim më i thellë për rastin dhe të kryhet një analizë e saktë financiare. Ndërkohë, ekspertët ndërkombëtarë i kanë kërkuar KPA të vlerësojë dhe çështjet që lidhen me pasuritë, të cilat mund të kenë një ndikim gjithashtu në raste të tjera të ngjashme si taksimi i dhurimeve në vlerë monetare, detyrimet tatimore që nuk paguhen në kohë ose e drejta për të rivlerësuar pasuritë e paluajtshme. Tashmë, topi i ka kaluar KPA për Kastriot Selitën, i cili do të kalojë dhe një herë në sitën e vettingut, ku verifikimi i tij do të bëhet më imtësisht.

Gjetjet e plota të ONM për Kastriot Selitën

Kriteri i pasurisë

Për secilën nga shumat monetare, 30.000 euro, 61.758 euro dhe shuma 20.000 euro, përfituar nga personi i lidhur (bashkëshortja e subjektit, znj. ***.***) nga babai i saj, mbetet i paqartë nëse këto do të kualifikohen si dhurim nga babai dhe nëse kualifikohen si të tilla, këto shuma a duhet t’i nënshtrohen pagesave të detyrimeve tatimore, sipas ligjit nr. 8438/1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” (i ndryshuar).

Për shumën 2.9 milionë lekë, përfituar nga subjekti në vitin 2006, pas divorcit, bazuar në vendimin e gjykatës për pjesëtimin e pasurisë bashkëshortore, nuk është hetuar plotësisht burimi i krijimit të kësaj shume.

Pagesa e detyrimeve tatimore, shumë vite më vonë se afati i përcaktuar. Mbetet e paqartë nëse tatimet e paguara më vonë se data e përcaktuar në ligj duhet të konsiderohen si shkak që legjitimojnë të ardhurat për të cilat ato paguhen, duke qenë se bashkëshortja e subjektit i ka paguar vetëm disa ditë përpara dorëzimit të deklaratës Vetting në ILDKPKI (2017), për shitjen e një aseti në vitin 2007.

Mosdeklarimi i huas në shumën 23.000 euro, marrë nga shtetasi ***.***. në D-Vett. Duke qenë se kjo shumë është burim financiar fillestar për apartamentin e bashkëshortes me sip. 102 m, 2 ndodhur në ***, Tiranë, të hetohet mundësia financiare e huadhënësit për të dhënë hua këtë shumë.

Hetimi lidhur me rivlerësimin e pasurive të paluajtshme në pronësinë individuale të bashkëshortes së subjektit, në vitin 2012, bazuar në ligjin nr. 10418, datë 21.4.2011, “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor” ( të ndryshuar).

Mospërputhje e vlerave të kostove të ndërtimit (3 të tilla) për objektin, shtëpi banimi 2 kt+ papafingo me sip. totale ndërtimi 268.2 m2 , në ***, Tiranë, në pronësi të prindërve të bashkëshortes.

Mospërputhje e çmimit të blerjes së apartamentit me sip. 94.4 m2 nga shoqëria “***” sh.p.k.

Mospërputhje në analizën financiare, të elementeve si vijon:

(I) Komisioni ka përfshirë në analizën financiare të ardhura të bashkëshortes për periudhën 1999-2004, për të cilën nuk është e qartë nëse janë paguar apo jo detyrimet tatimore;

(II) Komisioni duket se ka përfshirë në analizën financiare për të njëjtën pasuri (truall dhe ndërtimi në ***, Tiranë), të ardhurat nga firmat piramidale, të investuara nga babai i bashkëshortes, për të cilat nuk dihet burimi dhe nëse janë të ardhura të ligjshme;

(III) Pasaktësi të tjera në analizën financiare të Komisionit, mbi të ardhurat dhe shpenzimet e prindërve të personit të lidhur;

(IV) Trajtimi i këtyre çështjeve, dhe të tjera të mundshme, si niveli i diskutueshëm i shpenzimeve të jetesës dhe ndikimi i tyre në analizën financiare.

Kriteri i aftësive profesionale

Ka dyshime nëse vlerësimi i shumicës “i aftë” për subjektin e rivlerësimit është i përshtatshëm, duke pasur parasysh faktet e këtij rasti. Në disa çështje gjyqësore, ku subjekti, në cilësinë e anëtarit të trupit gjykues, ose të relatorit, ka vepruar në situatën e konfliktit në dukje të interesit, pasi:

(I) Subjekti ka kryer dy transaksione shitblerje me palët në gjykim;

(II) Subjekti nuk ka paraqitur dorëheqje nga proceset gjyqësore, ku një nga palët janë organet tatimore, konsideruar faktin që personi i lidhur, bashkëshortja e tij, ka një pozitë të rëndësishme dhe me influencë.

Detyrat e lëna nga ONM për KPA

(I) Të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në kuadër të hetimit për çështje që nuk janë hetuar në mënyrë të plotë ose gjithëpërfshirëse nga Komisioni;

(II) Të kryejë një analizë të saktë financiare, ku të vlerësohen në mënyrën e duhur dhe të qartë të gjitha çështjet në fjalë;

(III) Të vlerësojë çështjet që lidhen me pasuritë, të cilat mund të kenë një ndikim gjithashtu në raste të tjera të ngjashme (si taksimi i dhurimeve në vlerë monetare, detyrimet tatimore që nuk paguhen në kohë ose e drejta për të rivlerësuar pasuritë e paluajtshme);

(IV) Të kryejë një vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës të aftësive profesionale;

(V) Të marrë në konsideratë çdo çështje të mundshme të pazgjidhur, që mund të ketë ndikim në vlerësimin e përgjithshëm të subjektit të rivlerësimit.



Skip to toolbar