Vetëm pak minuta pasi 8 prokurorët e parë të emëruar në SPAK kryen betimin te Presidenti, reagoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në reagimin e ambasadës së SHBA, shprehet urimi për betimin e tetë prokurorëve të SPAK, duke e konsideruar këtë një akt të rëndësishëm të themelimit të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK). Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm”, thuhet ndër të tjera në reagimin e SHBA.
Më tej, Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksojnë se me krijimin e SPAK, Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit demokratik. Gjithashtu, SHBA thotë se do të mbetet një partner i palëkundur në mbështetjen e SPAK. “Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”, thotë SHBA.
Edhe Ambasadori i Delegacionit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca reagoi për betimin e 8 prokurorëve të SAPK. Soreca shprehet se mirëpret këtë akt, ndërsa thekson se ata janë gati për të filluar punën. “Ne mirëporesim betimin e 8 prokurorëve të parë të SPAK para Presidentit. Tani ata janë gati për të filluar punën. Një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësia kryesore e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE”, thotë Soreca. /Realstory.al/