Në ditën kur zyrtarisht shënohet 10 vjetori i antarësimit të Shqipërisë në NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë bërë një dhuratë Forcave të Armatosura: 37 mjete të blinduara, tw cilat do të përdoren nga strukturat e Forcave tona të Armatosura, si pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Në ceremoninë e dorëzimit të këtyre mjeteve, mori pjesë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Leyla Moses-Ones dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku. Ministrja Xhaçka falënderoi qeverinë e SHBA për ndihmën e vazhdueshme që jep për vendin tonë dhe vlerësoi si të rëndësishëm dhurimin e 37 mjeteve të blinduara, të cilat do të rrisin kapacitetet dhe performancën e Forcave tona të Armatosura.
“Kjo paketë përkthehet në më shumë
cilësi kapacitetesh, më shumë angazhime të përbashkëta dhe sigurisht në më
shumë siguri si për vendin tonë ashtu edhe për aleancën. Armatimi i ri sipas
standardit të NATO, po e ndryshojnë cilësisht realitetin e përditshëm të punëve
të ushtarakëve tanë si dhe po rrisin dita –ditës performancën e tyre, gjatë
ushtrimit të detyrave në teatrot e operacioneve ku marrin pjesë. Mjetet do të
mundësojnë zgjerimin e spektrit të detyrave dhe misionit të trupave tanë dhe do
të rrisin sigurinë e personelit sidomos ndaj minave dhe mjeteve shpërthyese të
improvizuara, i cili konsiderohet tashmë si një prej kërcënimeve më të
pranishme në mjedisin operativ.”- u shpreh ministrja Xhaçka.
E ngarkuara me punë e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones ka zgjedhur që për herë të parë të flas shqip dhe një shqipe mbreslënëse. Ajo e ka cilësuar dhurimin e mjeteve të blinduara si ndihmë jo vetëm për vendin tonë, por edhe për Aleancën.
“Kjo aftësi e re e blinduar do të rrisë
mbrojtjen e brendshme të Shqipërisë, do të forcojë krahun jugor të NATO-s dhe
do të sigurojë fuqi vendimtare luftarake në NATO që mund të dislokohet në
mbështetje të operacioneve globale. Ky është një tjetër shembull se si
Shqipëria po rritet si një lider rajonal në Ballkan. Nën drejtimin e shkëlqyer
të ministres Xhaçka dhe gjeneral Kollçakut, komunikimi dhe bashkëpunimi midis
forcave tona ushtarake nuk ka qenë kurrë më i fortë ndërsa shpërndarja e këtyre
automjeteve shënon përfundimin e një faze të bashkëpunimit tonë.”- u shpreh
e ngarkuara me punë e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones