Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë prioritet luftën kundër korrupsionit në Shqipëri dhe për këtë arsye ata kanë dërguar agjentët e tyre në Tiranë për të hetuar dhe për të vënë para drejtësisë personat e përfshirë në korrupsion përmes mashtrimit me anë të dokumenteve. Ambasada e SHBA në Tiranë njofton se agjentët e saj në bashkëpunim me Policinë e Shtetit janë në aksion të përditshëm për të gjurmuar dhe hetuar personat që merren me falsifikim të dokumenteve si vizat dhe pasaportat.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Çdo javë do të nënvizojmë një nismë që kemi ndërmarrë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Këtë javë, mësoni se si Ambasada e Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet agjentëve dhe hetuesve të posaçëm, në bashkëpunim me Policia e Shtetit dhe prokurorët, punon për të gjurmuar dhe shkurajuar mashtrimin me anë të dokumenteve dhe për të sjellë përpara drejtësisë kriminelët përgjegjës për prodhimin, përhapjen dhe blerjen e tyre”, njofton Ambasada Amerikane në Tiranë.
SHBA thekson se mashtrimi me anë të dokumenteve është një formë e zakonshme korrupsioni në Shqipëri që kërcënon integritetin e vizave dhe pasaportave të SHBA dhe lehtëson krimet monstruoze të kontrabandës dhe trafikimit të njerëzve.
“Shërbimi i sigurisë diplomatike DSS të SHBA është në vijën e parë të përpjekjeve për ta ndaluar atë. DSS heton krimet që lidhen me pasaportat dhe vizat kudo në botë dhe në Shqipëri. Agjentët dhe hetuesit e posaçëm dhe analistët e DSS punojnë në mbi 270 ambasada dhe konsullata të SHBA në 170 vende. Në ambasadën e SHBA në Tiranë, agjentët dhe hetuesit e posaçëm në partneritet me policinë e shtetit dhe prokurorët hetojnë për të gjurmuar dhe shkurajuar mashtrimin përmes dokumenteve dhe për të sjellë patra drejtësisë kriminelët që merren me prodhimin dhe përhapjen e tyre”, njofton SHBA.
Ambasada bën të ditur se falë bashkëpunimit me Policinë shqiptare janë shkatërruar disa rrjete që merren me falsifikim dokumentesh dhe këta persona janë vënë para drejtësisë.
“Në partneritet të ngushtë SHBA-Shqipëri, DSS kanë shkatërruar disa rrjete të dokumenteve të rreme duke çuar në arrestime dhe ndjekje penale të shumëfishta. Hetuesit e DSS për kontrabandën e personave kanë ekspozuar korrupsionin brenda forcave të policisë dhe aparatit të sigurisë së aeroportit. Këto hetime kanë çuar në arrestime, në largim nga detyra të zyrtarëve të korruptuar me autoritet, si dhe vendime të tjera disiplinore kundër zyrtarëve të lartë policorë”, njofton ambasada.
Pikërisht për të luftuar këtë fenomen agjentët amerikanë së bashku me zyrtarë nga policia e Migracionit dhe Kufirit kanë kryer trajnime në 80% të pikave të kalimit të kufirit në Shqipëri. Këto trajnime ndihmojnë policinë e shtetit për të identifikuar më mirë dokumente udhëtimi false dhe të rreme, për të siguruar më mirë kufijtë e Shqipërisë, për të gjurmuar dhe zmbrapsur trafikun e klandestinëve si dhe për të identifikuar zyrtarët e korruptuar që i kanë lëshuar këto dokumente.
“Është korrupsion të kryesh mashtrim me anë të dokumenteve, është edhe krim. Viktimat e kontrabandës dhe trafikimit paguajnë çmimin më të lartë për mashtrimin me anë të dokumenteve. Agjentët dhe hetuesit e DSS në ambasadën e SHBA-së do të vazhdojnë të mbështesin policinë e shtetit për të identifikuar individët e korruptuar të përfshirë në sigurimin, shitjen dhe blerjen e dokumenteve mashtruese”, thekson SHBA.