Nënshkruhet Memorandumi i Sigurisë Kombëtare për përdorimin e materialit luftarak të shitur nga SHBA.
Administrata e Joe Biden ka njoftuar se kjo është një iniciativë e rëndësishme për të siguruar që eksportet amerikane të materialit mbrojtës nuk do të përdoren për të shkelur ligjin ndërkombëtar.
Tani në këtë mënyrë bëhet politikë e SHBA-së për të monitoruar rreptësisht përdorimin e materialeve ose shërbimeve të mbrojtjes amerikane me qëllim që të mos shkelet e drejta ndërkombëtare. Në veçanti, qeveria e SHBA duhet t’i raportojë çdo vit Kongresit nëse vendet që marrin materialet e mbrojtjes amerikane përmbushin kërkesat e përcaktuara në procesin e prokurimit.
Pra nga tani Departamenti Amerikan i Shtetit do të marrë garanci me shkrim nga vendi marrës se do të respektojë kushtet e SHBA-së. Nëse do të gjykohet nga Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni se garancitë nuk po përmbushen, atëherë presidentit amerikan do t’i dorëzohet një raport brenda 45 ditëve me rekomandime për t’u marrë me situatën.
Amendamenti specifik i Memorandumit të Sigurisë Kombëtare i nënshkruar nga Presidenti Biden vjen pas presionit të disa ligjvënësve demokratë, të cilët kishin shqetësime për sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për Izraelin.