Zvarritja e ngritjes së SPAK është një çështje që shqetëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë një takimi që pati me kryetarin e KLP-së, Gent Ibrahimi, zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit, Jorgan K. Andrews u shpreh se “SHBA është e ndërgjegjshme për presionin me të cilin po përballet KLP”, ndërsa thekson se “Amerika është e vendosur të ofrojë mbështetje për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK”, mësohet të ketë thënë zyrtari amerikan gjatë takimit me Gent Ibrahimin. Një mesazh i fortë ky që vjen nga SHBA, vetëm një ditë pasi dështoi mbledhja e KLP-së ku do të diskutohej për ngritjen e Prokurorisë Speciale me tetë anëtar.
Duke shprehur mbështetjen për zbatimin e reformës në drejtësi, zyrtari amerikan është shprehur se “SHBA do të asistojë punën e KLP”, për të vijuar procesin e nisur. Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Jorgan K. Andrews, është shprehur gjithashtu se “baza ligjore e ngritur për institucionet e reja të drejtësisë është e fortë” dhe “e aftë të mbajë larg korrupsioni dhe presioni i politikës mbi këto struktura”-tha ai. Ai gjithashtu u shpreh se në Shqipëri “duhet ndryshuar mentaliteti për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar sepse tani keni instrumentet e duhura”.
Ndërkohë, kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, duke treguar se procesi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritjen e SPAK është në hapat e fundit, i tha zyrtarit amerikan se: “Këshilli po shikon hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK me 8 prokurorë tashmë të vetuar dhe 2 prokurorë te komanduar nga lista e kandidateve të kualifikuar për SPAK, të cilët kanë kaluar vetting-un me vendim të formës së prerë”, u shpreh Ibrahimi. E pranishme në takim ishte dhe e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri Leyla Moses-Ones. Jorgan K. Andrews është caktuar në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, ku mbikëqyr programet e kësaj byroje në Europë dhe Azi.