SHBA për Tahirin, shkurajon PD

AKTUALITET


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur vendimin për dënimin e ish-ministrit Tahiri, pasi sipas saj, ky vendim demonstron pavarësinë e gjyqësorit, një kriter i kërkuar prej vitesh nga amerikanët, megjithëse masën e ulët të dënimit të dhënë ndaj tij, e ka quajtur shkurajues.

“Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat”, ka deklaruar ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë.

Reagimi i fortë i SHBA për dënimin e ish-ministrit ka ardhur pas akuzave të opozitës se drejtësia është e kapur nga Rama. Ndryshe nga akuzat e opozitës, SHBA ka mbështetur gjyqësorin për pavarësinë në rritje të gjyqësorit, që vendosi dënimin e një ish ministri.

“Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë”, deklaroi ambasada e SHBA, e cila është investuar maksimalisht për reformën në drejtësi në vendin tonë. Madje, procesi i Tahirit u ndoq nga dy përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë, të cilat qëndruan deri në marrjen e vendimin nga ana e Gjykatës për Krimet e Rënda.

Reforma në Drejtësi është një proces që ka pasur mbështetjen e ambasadës amerikane, është asistuar, madje edhe është ndjekur në çdo rast nga përfaqësues të saj. Deklaratat e selisë diplomatike përherë kanë qenë të rëndësishme për ecurinë e këtij procesi. Madje, ish-ambasadori amerikan Donald Lu, i cili për sa kohë shërbeu në Shqipëri, mbahet mend si njeri që foli hapur dhe me emra konkretë, për “peshq të mëdhenj” e politikanë që kanë mbështetur krimin, pati dhënë edhe një deklaratë në rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri.

Sipas Donald Lu, gjyqtarët që do të gjykonin Tahirin duhej ta kishin kaluar vetingun. Por në fakt, nuk ndodhi kështu. Asnjë nga gjyqtarët që shqyrtoi çështjen e Saimir Tahirit nuk e ka kaluar ende vetingun, ndërkohë që dy nga tre prokurorët e çështjes Tahiri janë konfirmuar në detyrë nga vettingu.



Skip to toolbar