Dosja e Izet Haxhisë përfundon te SPAK

AKTUALITET


Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për dosjen e Izet Haxhisë, duke kërkuar që hetimet t`i vijojë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas Report Tv, Prokuroria e Tiranës e ka arsyetuar vendimin duke u shprehur se “vrasja e ish-deputetit Azem Hajdari të përfaqësohet në gjyq nga Krimet e Rënda, pasi nuk është në kompetencën e tyre vrasja e një ish-deputeti”. Në fakt, dosja pritet të përfundojë në Prokurorinë e Posaçme Anti-Krimit të Organizuar dhe Anti-Korrupsion (SPAK), pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të shkrihet pas pak javësh sapo të krijohet SPAK.

Gjithashtu, me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, do të shkrihet dhe Gjykata  e Krimeve të Rënda, e cila do të kthehet në Gjykatën e Posaçme. Izet Haxhia është një nga tre të dënuarit për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. Ai ka fituar të drejtën për rigjykim, ndërsa procesi për të ka nisur nga e para. Ndërkohë, atij i është rrëzuar kërkesa që vendimi përfundimtar në ngarkim të tij të jepet nga gjykatës që kanë kalur Vettingun.


Izet Haxhia ka vetëm pak muaj që është ekstraduar nga Turqia në Shqipëri, me kërkesë të drejtësisë shqiptare, pasi ishte i dënuar me 25 vite në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit. Tashmë pritet që kjo dosje, ashtu si shumë dosje të tjera të bujshme që presin ende drejtësi, të përfundojë në dorën e prokurorëve të SPAK, që me gjasa do të jetë gati në fillim të muajit tetor.




Skip to toolbar