SHBA sanksionon anëtaren serbe të Presidencës së Bosnjës dhe krerë të Republikës Sërpska

AKTUALITET


Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Sërpska, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviq dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Sërpska, Millosh Bukejlloviq.

Thesari tha se zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejtë përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet. Me këtë veprim, sipas SHBA-së, ata kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

“Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe paqes të fituar me mund të mbështetur nga Marrëveshja e Dejtonit. Kjo sjellje kërcënon më tej trajektoren e të ardhmes së shtetit dhe integrimit të suksesshëm në institucionet euroatlantike”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Financimin e Inteligjencës, Brian E.Nelson.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Bosnje e Hercegovinës në përpjekjet e tyre për sundim të ligjit dhe të sigurohemi që paqja dhe prosperiteti të mbizotërojnë”, shtoi ai.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka sponsorizuar ligjin që i shpallë të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Vetë Dodik më herë është futur në listën e sanksioneve amerikane. Më 5 janar të vitit 2022, SHBA-ja e akuzoi atë se drejtëpërdretjë apo në mënyrë të tërthortë kishte shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.

Edhe në korrik të vitit 2017, Thesari e kishte akuzuar Dodikun se po pengonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Pas miratimit të ligjit sa i përket vendimeve të Kushtetueses, përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt më 1 korrik përdori autoritetin e tij duke shfuqizuar këtë legjislacion dhe publikisht dënoi ligjin, që tha se minon rendin kushtetues, sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushtetit.

Pavarësisht vendimit të Schmidtit, Dodik e nënshkroi ligjin më 7 korrik.

Dodik po ashtu ka thënë se nuk do të pranojë vendimet e Schmidtit, ndërkaq Asambleja e Republikës Sërpska po ashtu ka marrë vendim që vendimet e përfaqësuesit të lartë të mos publikohen në Republikën Sërpska.

Në korrik, presidenti i Republikës Sërpska ka paditur Schmidin, duke thënë se ai po vepron në Bosnje pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Udhëheqësit në Republikën Sërpska vazhdimisht kanë deklaruar se nuk e njohin Schmidin, i cili u emërua më 2021 si përfaqësues i lartë. Emërimi i tij nuk u konfirmua nga Këshilli i Sigurimit, për shkak se në këtë institucion, emërimin e tij e kundërshtuan Kina dhe Rusia. Megjithatë, shtetet e tjera anëtare të këshillit tha se konfirmimi i emërimit të Schmidit nuk kërkohet.

Çfarë ndikime kanë këto sanksione?

Thesari tha se të gjitha pronat e personave të sanksionuar që janë në SHBA apo janë nën kontrollin e shtetasve amerikanë duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja.

Gjithashtu, çdo subjekt që është nën pronësi, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga personat e sanksionuar, po ashtu do të bllokohen. Sanksionet parashohin edhe bllokimin e transaksioneve nga shtetasit amerikanë me të sanksionuarit, përveç nëse marrin licencë nga Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja. Ndalesat po ashtu përfshijnë edhe kontribute apo ofrimin e fondeve mallrave apo shërbimeve për të sanksionuarit.



Skip to toolbar