Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka dhënë një deklaratë të fortë drejtuar Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke theksuar se “Irani nuk do të dorëzohet kurrë”.
Në një fjalim të transmetuar nga mediat iraniane, Khamenei paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara do të sjellë “dëme të pariparueshme”. Ai e cilësoi retorikën e Trump si “kërcënuese dhe qesharake“, ndërkohë që reagoi ndaj thirrjes së presidentit amerikan për një “dorëzim të pakushtëzuar” nga ana e Iranit.
Ayatollah Khamenei akuzoi gjithashtu Izraelin për një “gabim të madh”, duke premtuar se do të ndëshkohet për veprimet e tij. Ai përmendi gjakun e “dëshmorëve” dhe sulmin në territorin iranian, duke theksuar se këto nuk do të harrohen kurrë nga populli.
Sipas agjencisë së lajmeve Mehr, ai lavdëroi popullin iranian për qëndrueshmërinë, guximin dhe reagimin e tyre në kohë.
Këto deklarata vijnë në një kohë tensioni të lartë mes dy vendeve, ndërsa mediat raportojnë se Trump po shqyrton mundësinë e një goditjeje ushtarake ndaj Iranit.


