Rënia e Murit të Berlinit, Merkel: Evropa duhet të mbrojë demokracinë

AKTUALITET


“Europa duhet të luftojë për demokracinë, lirinë, të drejtat e njeriut dhe tolerancën”. Kancelarja gjermane, Angela Merkel në fjalën e mbajtur në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit në 1989, u bëri apel liderëve politikë të Europës që të mbrojnë vlerat e demokracisë dhe të mos i marrin ato si të mirëqena. “Këto vlera duhet të jetojnë dhe të mbrohen”, apeloi Merkel.

Gjermania feston sot 30 vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit që shënoi fundin e komunizmit dhe bashkimin e kombit gjerman në një shtet të vetëm.

“Shumë njerëz ranë viktimë e diktaturës. Ne nuk do t’i harrojmë ata. Më kujtohen njerëzit që u vranë këtu, në këtë mur, vetëm sepse ata po kërkonin liri. Gjithashtu më kujtohen edhe 75 mijë të burgosurit, që tentuan të arratiseshin nga vendi”, tha Merkel në fjalën e saj.

Kancelarja gjermane është rritur në Gjermaninë Lindore, dhe e njeh shumë mirë komunizmin, ndaj apeloi për mbrojtjen e demokracisë. Në nisje të ceremonisë ajo përshëndeti publikun e mbledhur rreth një pjese të murit të ruajtur ende në këmbë, ku vendosi një trëndafil, ndërsa në sfond luante Orkestra Simfonike e Berlinit. Festimet do të mbyllen me një festë gjigante në Portat e Brandenburgut në mbrëmje.

Shembja e murit i hapi rrugë lëvizjeve demokratike në të gjithë Europën Lindore.



Skip to toolbar