Samiti i Ohrit, Bregu: I nevojshëm, gur themeli për integrimin e rajonit

POLITIKË


Majlinda Bregu, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, e cilësoi samitin e Ohrit një takim produktiv që kontribuon në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. Bregu tha se çdo marrëveshje dhe nismë që shërben në përmirësimin dhe zbatimin e 4 lirive, që lidhen me heqjen e barrierave për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në të gjithë rajonin, janë të nevojshme dhe një gur themeli drejt integrimit në BE.

“Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal mbështet të gjitha nismat që kontribuojnë drejt një axhende për krijimin të një tregu të përbashkët për rajonin tonë të ngjashëm me tregun e BE-së, bazuar në katër liritë. Heqja përfundimtare e barrierave brenda rajonit tonë është urgjentisht e nevojshme. Në verë në Samitin e Poznanit, RCC inicioi idenë për një marrëveshje rajonale të udhëtimit me karta identiteti në rajon, ndaj mirëpresim të gjitha nismat e axhendave reale të liberalizimit për rajonin tonë, qofshin ato në lidhje me transportin dhe lehtësimin e tregtisë, lëvizshmërinë, dixhitalizimin ose fusha të tjera, pasi nuk ka vend për proteksionizëm. RCC është e gatshme të lehtësojë dhe intensifikojë punën për zbatimin e Planit Shumëvjecar të Veprimit për Zonën Rajonale Ekonomike (MAP REA) dhe më gjerë, besimplotë se do të arrihet një kornizë gjithëpërfshirëse. Kjo iniciativë gjithashtu ka potencialin për të kontribuar në propozimet për metodologjinë e re të anëtarësimit në BE dhe ky vendim duhet të merret me të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor (BP) në bord, por gjithashtu të thërrasë rreth tryezës Sekretariatin e Komunitetit të Transportit dhe të CEFTA-” tha Bregu

Në Samitin e Ohrit u diskutua nisma për heqjen e barrierave për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në të gjithë rajonin, ndërsa vendosën që takimi tjetër të zhvillohet në Durrës më 21 dhjetor. Edhe në këtë takim Kosova nuk mori pjesë, ndërsa kryeministri Rama bëri kritika të forta ndaj presidentit Thaçi, duke i kërkuar të mos vetëpërjashtohet dhe të marr pjesë në takimin e ardhshëm në Durrës “Është rënë dakord dhe më parë, të përfshihet dhe Kosova, me të drejta të plota dhe e barabarta. Kosova nuk duhet të vetëpërjashtohet”, tha Rama.



Skip to toolbar