Basha sulmon Mini-Shengen: Propagandë anti-europiane

POLITIKË


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi në lidhje me samitin e Ohrit, ku u diskutua në lidhje me krijimin e Shengenit Ballkanik bazuar në 4 liritë kryesore të BE, lëvizshmëria pa barriera e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit. Për Bashën, këto deklarata të kryeministrit Rama në Ohër, nuk janë gjë tjetër vetëm propaganda anti-europiane, me të cilat ai po mundohet të zëvendësojë dështimin me negociatat dhe integrimin në BE. Basha hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama se është përgjegjës i varfërimit dhe prapambetjes ekonomike të shqiptarëve.

Lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit është thelbi i integrimit europian dhe Europës së bashkuar. Parakushte për lëvizjen e lirë janë demokracia, sundimi i ligjit dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.


Dështimi me integrimin europian nuk mund të zëvendësohet nga propaganda anti-europiane e një autokrati të korruptuar, shkaktar i prapambetjes ekonomike dhe varfërimit të qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur koha që Shqipëria të nxjerrë në dritë potencialin e saj të vërtetë!” shkruan Basha.

Vetë kryeministri Rama ka hedhur poshtë të gjithë zërat se ky samit rajonal në Ohër është formë presioni ndaj Bashkimit Europian, por sqaroi se ky bashkëpunimi me vendet e rajonit nuk është plan i momenteve të fundit. Rama tha se forcimi i marrëdhënieve tregtare, ekonomike dhe lëvizshmërisë së lirë të njerëzve do i afrojë edhe më shumë drejt BE-së, si një nga prioritetet kryesore që kanë vendet e Ballkanit Perëndimor.




Skip to toolbar