Sherr me tre persona në Vlorë, 56-vjeçari bie i vdekur në tokë

AKTUALITET


Qyteti i Vlorës është tronditur këtë të diel nga një konflikt i ndodhur në zonën e Plazhit të Vjetër, gjatë të cilit ka mbetur i vdekur një 56-vjeçar. Konflikti ka ndodhur pikërisht në zonën ku disa muaj më parë ndodhi një tjetër vrasje pas sherrit me pronarin e një lokali. Viktima e së dielës është një 56-vjeçar, i cili katër vite më parë ka qenë i dënuar për dhunë në familje.

Burimet policore nga Vlora thanë se konflikti ka ndodhur pasditen e së dielës, kur Stavri Mino 56 vjeç, ka pasur konflikt me tre persona. Gjatë sherrit me ta, ai ka rënë në tokë i vdekur. Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes sqarojnë se Mino, u përfshi në konflikt për të tërhequr vëllanë, i cili po konfliktohej me pronarin e një lokali dhe disa persona të tjerë.  Sipas tyre, Mino u rrëzua dhe i ra koka në një gurë duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Disa të tjerë thanë se ai u godit me levë. Menjëherë në vendin e krimit kanë shkuar forcat e policisë, të cilat kanë rrethuar zonën, ku u gjet i vdekur 56-vjeçari Mino. Sipas të dhënave nga policia, nga dëshmitë e personave është arritur të identifikohen edhe tre protagonistët e konfliktit me viktimën, të cilëve u janë publikuar inicialet A. M., A. H dhe N. H.

Pas identifikimit është realizuar shoqërimi i tyre në komisariat. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe të viktimës, por nga këqyrja paraprake nuk rezulton që viktima të ketë shenja dhune. Kësisoj, policia do të presë ekspertizën mjekoligjore për të mësuar më shumë rreth shkaqeve të vdekjes së Minos, i cili fillimisht mendohej se ishte goditur me levë në kokë. Për viktimën, policia tha se më herët ka qenë i dënuar me 6 muaj burg, konkretisht në vitin 2015 për dhunë në familje, por nuk dihet nëse konflikti i së dielës kishte lidhje me këtë ngjarje të ndodhur katër vite më parë.



Skip to toolbar