Policia e Tiranës ka vënë në pranga një të ri 21 vjeç, i cili është kapur në flagrancë me lëndë narkotike Cannabis, të cilën e shiste në baret dhe lokalet e kryeqytetit. Arrestimi i shtetasit, emri i të cilit jepet me inicialet E.L., është bërë pas një operacioni të seksionit të hetimit të narkotikëve dhe forcave “Shqiponja”. I riu është arrestuar në flagrancë gjatë kohës që ishte duke tregtuar lëndë narkotike.
Shërbimet e policisë në rrugën “Medar Shtylla” në afërsi të një lokali, gjatë kontrollit fizik shtetasit E. L, i gjetën rreth 11 qese lëndë narkotike kanabis e ndarë në sasira të vogla e gatshme për tu shitur, si dy aparate celulare që përdoreshin për të siguruar klientele.
Kontrolli më tej ka vijuar dhe në banesën e këtij shtetasi ku në një tub plastik në hyrje të banesës, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi prej rreth 5.8 gr lëndë narkotike kanabis, prej nga ku, në përfundim të veprimeve sasia e lëndës narkotike rezultoi 25.6 gramë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” në ngarkim të shtetasit E. L.