Shkarkimi i Kajmakut, Rama: Nuk bëhemi strehë e askujt

AKTUALITET


Kryeministri Rama ka reaguar përmes një mesazhi në twitter pas vendimit të KQZ-së për t’i hequr mandatin kryetarit të bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

Rama shkruan se me këtë vendim KQZ tregoi se është një institucion që i përket shtetit dhe nuk është vegël e partive politike, siç ka qenë dikur në kohën e PD-së.

Sipas Ramës, PS tregoi dhe njëherë se nuk strehon askënd që shkel ligjin.

“KQZ ka provuar sot përsëri, se është një institucion i shtetit shqiptar që mbron ligjin dhe interesin publik, jo vegla e vjetër e partive siç ishte deri dje. Po ashtu Partia Socialiste ka riprovuar sot, se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin e besimin tonë”, shkruan Rama.

KQZ vendosi në mbledhjen e së premtes t’i heqë mandatin e kryebashkiakut Agim Kajmakut të Vorës, pas akuzave të PD-se se ai kishte shkelur ligjin për dekriminalizimin pasi kishte fshehur se ka qenë i arrestuar në Greqi me emrin e Jorgo Totos. Avokati i Kajmakut deklaroi se do ta ankimojë vendimin e KQZ-së.



Skip to toolbar