Shkarkimi i Metës, Hajdari kërkon shtyrje. Maxhoranca: Zyra të jetë bosh sa më parë

AKTUALITET


Rudina Hajdari ka kërkuar shtyrjen e ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta, pasi thotë se ende nuk ka një Gjykatë Kushtetuese dhe se ky vendim do përkeqësonte më shumë situatën e nxehtë politike. Ndërsa thotë se ky është një konflikt mes Ramës dhe Metës, Hajdari deklaron se grupi opozitar nuk do të marrë pjesë në seancën parlamentare për ngritjen e komisionit Hetimor për Metën.

“Ne e shohim konfliktin mes Ramës dhe Presidentit si një përplasje personale dhe prandaj ne kërkojmë që ky komision hetimor të shtyhet dhe të ridiskutohet kur të kemi një Gjykatës Kushtetuese funksionale. Nuk kemi pse nisim një procedurë dhe më pas ta lëmë përgjysmë”, tha Hajdari.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla nga ana e tij, bazuar në shpërthimet e fundit të Presidentit tha se “sa më shumë ditë kalojnë aq më kuptimplotë bëhet bazueshmëria e nevojës për të liruar sa më shpejt zyrën e presidentit”.

Më tej ai sqaroi se komisioni i ligjeve e ka miratuar raportin përfundimtar, i cili bazuar në Kushtetutë miratohet në seancë dhe më pas ngrihet një komision hetimor për shkarkimin e presidentit.

“Në zbatim të kushtetutës dhe rregullores së kuvendit jemi në fazën që po shqyrtojmë nismën e depozituar nga 55 anëtarë të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit. Në këtë fazë raporti i shkon seancës plenare, kishim një diskutim për këtë cështje. Kuvendi diskuton në seancë raportin e komisionit të Ligjeve dhe nëse raporti miratohet, me të ngrihet edhe Komisioni Hetimor për evidentimin e shkeljeve nga ana e presidentit dhe më pas komisioni hetimor paraqit në kuvendin e Shqipërisë raportin përfundimtar. Nëse merr 94 a më shumë vota nga deputetë, miratohet shkarkimi i presidentit dhe certifikimin e këtij procesi e bën Kushtetuesja”- ka sqaruar Balla.

Kërkesa për shkarkimin e presidentit është firmosur nga 55 deputetë të maxhorancës por edhe të opozitës. Në përfundim të procesit vendimi i parlamentit i miratuar me 94 vota e më shumë, shkon për vlerësim  nga Gjykata Kushtetuese e cila vendos shkarkimin përfundimtar të presidentit. Maxhoranca akuzon presidentin se ka tejkaluar kompetencat që i njeh kushtetuta me dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.



Skip to toolbar