Meta në alarm. Kërkon të vendosë gjykatës të lartë, para shkarkimit

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta në reagimin e katërt gjatë të mërkurës, ka sulmuar hapur ndërkombëtarët e misionit të BE, EURALIUS që janë marrë posaçërisht me hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi. Pas SHBA-së dhe Sorecës, radhën e ka Euralius.

Duket se presidenti është në alarm dhe në prag të shkarkimit nga Kuvendi, i gjendur pa asnjë mbështetje, kërkon të emërojë anëtarët e Gjykatës së Lartë.


Presidenti i ka dërguar një letër Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, (për dijeni edhe ambasadorit  të BE-së Soreca, ambsadorëve të vendeve evropiane dhe të ngarkuarës me punë në ambasadën e SHBA, Leyla Moses-Ones), të cilës i kërkon llogari për tejkalimin e afateve dhe për mos dërgimin në presidencë të propozimeve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në bazë të Kushtetutës anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga presidenti me propozim të KLGJ. Por deri tani KLGJ ende nuk i ka çuar listën me kandidatë presidentit dhe ky i fundit thotë se edhe pas kërkesës së tij për informacion të hollësishëm për etapat në të cilat ndodhet procesi, KLGJ nuk i ka dërguar një informacion shterues.

“Përgjigja e institucionit tuaj ndaj kërkesës së Presidentit të Republikës nuk përmbush kriteret formale dhe përmbajtësore.

Së pari, referuar përmbajtjes së përgjigjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhënë me shkresë nr. 3061/1 prot, datë 18.06.2019, evidentohet se ka një mungesë impenjimi të KLGJ-së për t’i kthyer një përgjigje shteruese kërkesës së Presidentit të Republikës për një ҁështje kaq të rëndësishme.

Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës për informacionin e kërkuar mbi ecurinë dhe veprimtarinë e deritanishme të Këshillit të Lartë Gjyqësor për gjithë procesin e shpalljes dhe administrimit të aplikimeve sipas Kushtetutës dhe ligjit për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, si dhe në çfarë faze është procesi i verifikimit dhe vlerësimit nga Këshilli”, shkruan presidenti.

Ai vëren se KLGJ është në shkelje të ligjit dhe kërkon informacion për shkaqet që e kanë çuar këtë institucion të shkelë ligjin.

“Nëse KLGJ-ja është ndeshur me shkaqe të pavarura prej saj, që mund të vijnë nga identifikimi i problematikës në cilësinë e ligjit, Presidenti i Republikës, kërkon të informohet gjithashtu me faktin nëse Këshilli ka kërkuar ose jo pranë Kuvendit të Shqipërisë apo Ministrisë së Drejtësisë ndryshime në legjislacion për përmirësimin e tij?

Kjo çështje nuk është një zgjedhje për KLGJ-në, por një detyrë e përcaktuar drejtpërdrejtë nga ligji”, shkruan presidenti.

Ai thekson se “këto vonesa në kryerjen e procedurave përkatëse cenojnë drejtpërdrejtë funksionalitetin e Gjykatës së Lartë dhe në këtë mënyrë edhe stabilitetin e sistemit gjyqësor në tërësi”.

Sipas Metës është bashkëpunimi mes KLGJ dhe Presidentit është detyrim kushtetues. “Presidenti i Republikës duhet të jetë i informuar plotësisht nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për ecurinë e këtij procesi për të qartësuar faktin se kur do të mundet ai të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, në mënyrë që kjo gjykatë të bëhet sa më shpejt funksionale me trupa gjyqësore të përzgjedhur dhe emëruar sipas standardeve kushtetuese”.

Një hapsirë të veçantë në letren e tij zë sulmi ndaj EURALIUS. Sipas presidentit zgjidhjet provizore të propozuara nga misioni ndërkombëtar i BE-së janë në shkelje të Kushtetutës.

Përsa i takon pjesës së opinionit të “EURALIUS V” (që rekomandon një skemë delegimi të gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë deri në emërimin e anëtarëve të përhershëm të saj) presidenti vëren se ky propozim:

“– Cenon kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës;

– Ky propozim bie ndesh në mënyrë flagrante me parashikimet e nenit 136, 179 pika 4 e 12 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;

– Dëmton rëndë qëllimet kryesore mbi të cilat u ndërmor dhe u miratua paketa kushtetuese dhe ligjore e reformës në sistemin e drejtësisë;

– Cenon besimin e publikut tek organet e reja të sistemit të drejtësisë;

– Bën të mundur që Gjykata e Lartë të funksionojë me gjyqtarë të përkohshëm, të cilët do të ushtrojnë funksionet në gjykatën më të larë të vendit, pa kaluar më parë procesin e rivlerësimit kalimtar, duke cenuar besimin tek reforma në drejtësi e miratuar 3-vjet më parë.

Ky opinion në vetvete është një përpjekje për të ofruar një zgjidhje me mjete ekstra ligjore aspak kushtetuese e ligjore nën argumentimin e situatës emergjente. Nëpërmjet tij synohet së pari të fshihet problematika, apo mangësitë që mund të paraqesë baza ligjore ekzistuese dhe prej së cilës mund të jetë krijuar edhe kjo gjendje. Për shkak të përdorimit të këtij mekanizmi të papërshtatshëm të propozuar nga Euralius mund të bëhet i mundur promovimi përkohësisht në karrierë i gjyqtarëve, që nuk e meritojnë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe që mund të vlerësohen si të tillë nga organet e rivlerësimit kalimtar”, shkruan Presidenti.

Sipas tij “nuk është aspak logjike që 3-vite nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese, “Euralius” të propozojë sërish skema të tilla, tranzitore, të përkohshme që shkelin rëndë parashikimet Kushtetuese”.

Në përfundim presidenti i kërkon KLGJ informacion të hollësishëm për etapat e punës.

Edhe gjatë konferencës së të martës presidenti sulmoi ndërkombëtarët për reformën në Drejtësi duke thënë se ata së bashku me Ramën e kanë kthyer këtë në Ramaform.

Pas Metës ka reaguar Zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali e cila shkruan se presidenti po i sulmon të gjithë ndërkombëtarët.

“Poshtë Soreca, Borchardt, Palmer, Juncker, Glover, Mogherini, Lajcak, Hahn,Moavero e kush të jetë me ta, mbi ta, pas tyre megjithë Soros e sorrollop, i tërë soji i armiqve të shqiptarit Baba Xhike, me dy krena e me qafore,që hedh bomba mbi çdo llaxore dhe mahnit çdo fallxhore”, shkruan Spiropali.




Skip to toolbar