Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta pritet që gjatë mbledhjes të së mërkurës t’i kërkojë Kuvendit shtyrjen e afatit të punimeve për të pritur raportin e Komisionit të Venecias.
“Gjetjet e komisionit të Venecias do të jenë thelbësore për vendimin e Komisionit Hetimor”. Kështu u shpreh kryetari i Komisionit Hetimor, Ulsi Manja në mbledhjen e fundit të këtij komisioni. Ndaj dhe shtyrja e afatit të komisionit duket si domosdoshmëri për të pritur përgjigjen përfundimtare të ekspertëve të Venecias. Ekspertët e Venecias gjatë takimeve që zhvilluan pak ditë më herët në Tiranë bënë të ditur se opinionin e tyre do ta japin më 11 tetor. Pritet që edhe Komisioni Hetimor të shtyjë vendimin e tij të paktën deri në 12 tetor.
Kjo pritje lidhet edhe me faktin se duhet hartuar një raport sa më bindës edhe për presidentin Meta. Ky i fundit ka deklaruar se nëse Komisioni i Venecias vlerëson se ai ka shkelur Kushtetutën, do të japë vetë dorëheqjen. Pra Meta i beson vetëm vlerësimit të Komisionit të Venecias. Ndaj dhe për të shmangur çdo interpretim, deputetët shqiptarë të Komisionit Hetimor kanë vendosur të presin raportin e Venecias.
Gjatë të hënës presidenti Meta publikoi në faqen e tij zyrtare një raport prej 55 faqesh të cilin ia dërgoi Komisionit të Venecias dhe që në thelb përmblidhte mbrojtjen e akteve të tij, siç ishte firmosja e dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Akt i cili konsiderohet antikushtetues nga deputetët e Kuvendit që kanë kërkuar shkarkimin e tij.
Ekspertët e Venecias pas një sërë takimesh të rëndësishme që zhvilluan në Tiranë, bënë të ditur se tashmë kanë krijuar një opinion për çështjen.Vlerësimet e Komisionit të Venecias do të jenë bazë e fortë edhe për vendimin e Komisionit Hetimor, i cili më pas do të kalojë për miratim në Kuvend dhe në përfundim do të jetë Gjykatës Kushtetuese e cila do të thotë fjalën e fundit për shkarkimin e presidentit./realstory.al