Dhuna parazgjedhore: Shkarkohet kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës

AKTUALITET


Kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila shkarkohet nga detyra pas sulmeve të së enjtes në KZAZ-në nr. 6 në Bushat të Shkodrës.

Lajmi është bërë i ditur të premten nga Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili dënoi sulmet ndaj KZAZ-së dhe theksoi se policia do të garantojë zhvillimin në mbarë vendin të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ministri i Brendshëm akuzoi drejtuesit e opozitës për sulmin ndaj KZAZ-së.

“Zjarri i mbrëmshëm, djegia e materialeve zgjedhore dhe plagosja e tre punonjësve të Policisë së Shtetit, nga një grup sulmi, i përbërë kryesisht nga punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës është një shprehje shembullore e paramilitarizimit të një partie, që ka humbur jo vetëm arsyen, por tashme edhe pseudo-kauzën e saj.

Aq sa i ulët ishte sulmi ndaj shkollës, ku është vendosur KZAZ, po aq e neveritshme ishte tentativa e drejtuesve të opozitës për të larë duart nga aksioni kriminal i militantëve të tyre, duke u përpjekur si gjithmonë, që nga nxitës të agresionit të kthehen në viktima të tij!

Në mënyrë sa të paturpshme aq edhe qesharake, ata akuzuan Policinë se paska sulmuar dhe plagosur veten, nën drejtimin e Ministrit të Brendshëm dhe të Kryeministrit. Pra, sipas këtyre ‘haxhiqamilistëve’ të rikthyer në skenë pas 100 vitesh, punonjësit e bashkisë së Vaut të Dejës dhe familjarët e kryetarit të saj, paskan zbatuar urdhrat tona për dhunë.

Përpjekja e opozitës për të larë duart përpara qytetarëve shqiptarë dhe përpara partnerëve strategjikë të Shqipërisë, të cilët janë investuar për stabilitetin dhe demokracinë e vendit, tregon qartë se në çfarë gjendje të rënduar mendore dhe në çfarë katandisje të ulët morale janë sot drejtuesit e revolucionit imagjinar për pengmarrjen e zgjedhjeve”, tha Lleshaj.

Ai theksoi se “incidenti i mbrëmshëm nuk mund dhe nuk do të cenojë aspak integritetin e zgjedhjeve.

Zgjedhjet do të mbahen në të gjithë vendin, në pajtim të plotë me Kushtetutën, me Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin e vendit, si edhe me mbështetjen e vendosur të partnerëve strategjikë të Shqipërisë”.

Ministri gjithashtu tha se kryetari i Vaut të Dejës do të shkarkohet nga detyra dhe të njëjtin fat do të kenë të gjithë ata që do të përdorin dhunën për të penguar zgjedhjet.

“Për arsye të një serie shkeljesh të rënda të detyrës dhe të ligjit, të cilat kulmuan mbrëmë me sulmin ndaj KZAZ nr. 6, të realizuar nga punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës, Kryetari i saj do të shkarkohet sot nga detyra me propozim të Ministrit të Brendshëm.

Të njëjtin fat do të ketë cilido, që autoritetin e Kryebashkiakut do ta përdorë për të penguar zgjedhjet, duke i kthyer apo lejuar punonjësit e Bashkisë të sillen si forca të dhunshme paramilitare”, tha ministri i Brendshëm.

Ai u bëri thirrje drejtuesve të bashkive që të garantojnë kushtet optimale për qytetarët e tyre që të mund të ushtrojnë të drejtën për të zgjedhur.

“Të mos merren me veprimtari penguese dhe me bravat e dyerve të shkollave të përcaktuara tashmë si Qendra Votimi, sepse kështu bëhen jo vetëm qesharakë, por edhe subjekt i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

30 qershori është data e zgjedhjeve dhe zgjedhjet janë të popullit shqiptar, as të partive, as të bashkive!”, përfundoi ministri Lleshaj.

Gjatë ditës të premtes, policia e shtetit njoftoi se ka arrestuar 14 persona për sulmin në KZAZ-në e Bushatit, ndërkohë që 9 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Policia njofton gjithashtu se është arrestuar Alfred Hila, vëllai i kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës. Nga sulmet me molotov në Bushat mbetën të plagosur 3 punonjës policie.

ERTV Live: Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj – Sulmi i mbrëmshëm ndaj KZAZ së Vaut të Dejës, është një akt barbarie i frymëzuar nga Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Ilir Meta dhe Sali Berisha, i nxitur nga kryebashkiaku në ikje Zef Hila dhe i zbatuar nga familjarë të tij, si edhe punonjës bashkie, të cilët janë tanimë prapa hekurave dhe në kërkim nga Policia e Shtetit👊Ndëshkimi i ligjit do të jetë shembullor në përballjen e tyre me akuza të rënda dhe thirrja jonë për këdo që mund të bëjë të njëjtin gabim fatal është: Mos u bëni mish për topat e katër aventurierëve të dështuar, të cilët po e shkatërrojnë dita-ditës opozitën, për të shkatërruar rrugën e të ardhmes europiane të Shqipërisë🇦🇱🇪🇺Zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor dhe kush do të guxojë t’i prekë, do të përballet me drejtësinë, ashtu sikundër udhëheqësit e kësaj ofensive haxhiqamiliste, do të përballen së bashku me partitë e tyre, me izolimin më shembullor ndërkombëtar, nëse nuk tërhiqen hapur, qartë, prerazi, nga kjo aventurë antikombëtare👎

Gepostet von Edi Rama am Freitag, 28. Juni 2019


Skip to toolbar