Paraditen e së martës është zbardhur e plotë Draft Rezoluta e Partisë Socialiste për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, pasi ky i fundit, të hënën vendosi të shfuqizonte dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor. Në dokumentin e PS, thuhet që në hyrje të saj se “Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk i njohin Presidentit të drejtën për të anuluar zgjedhjet”, thuhet në pikën e parë të Draft Rezolutës.
Më tej, Partia Socialiste e cilëson aktin e Presidentit të “kundraligjshëm, që ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, siç është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor 2019.
Në Draft Rezolutën e PS, evidentohet gjithshtu, “Ndërhyrjen e Presidentit të Republikës në këtë fazë të procesit zgjedhor si një mjet që ka cënuar rëndë barazinë e konkurimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës”.
Të gjitha pikat argumentura nga PS për shkarkimin e Metës:
Kuvendi i Shqipërisë duke u njohur me aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe duke konsideruar se ky është një akt i paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor konstaton:
- Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk i njohin Presidentit të drejtën për të anulluar zgjedhjet;
- Akti i Presidentit, në mënyrë të kundraligjshme, ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, sic është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datë 30 Qershor 2019;
- Ky akt tenton të ndërhyjë drejtpërdrejtë në një proces që tashmë është në kompetencë të organit administrues të tij dhe si i tillë duhet shqyrtuar dhe vlerësuar nga organet e administrimit zgjedhor të parashikuara në Kodin Zgjedhor;
- Është detyrim i administratës zgjedhore, jo vetëm të garantojë ushtrimin e së drejtës së zgjedhjes sipas standarteve kushtetuese dhe ligjore nga shtetasit shqiptarë, por edhe ta mbrojë ushtrimin e kësaj të drejte nga çdo ndërhyrje e paligjshme e kryer apo që tentohet të kryhet, nga çdo person fizik apo juridik, duke mos lejuar cënimin e mbarëvajtjes së këtij procesi;
- Bazuar nëparimin e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë si dhe diskrecionit të organeve administrative, sipas të cilëve asnjë organ nuk ka detyrimin dhe nuk mban përgjegjësi ligjore nëse nuk zbaton një urdhër, akt, apo cfarëdo vendimi absolutisht të pavlefshëm dhe që bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin;
- Ndërhyrjen e Presidentit të Republikës në këtë fazë të procesit zgjedhor si një mjet që ka cënuar rëndë barazinë e konkurimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës;
- Mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar parashikuar nga neni 90, paragrafi 2 i Kushtetutës;
Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.
Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke e njohur këtë të fundit sitë vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të Qershorit 2019 të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.