Shkencat e Natyrës, kundër kalimit të Kopshtit Botanik në varësi të Bashkisë

AKTUALITET


Dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës ka reaguar ashpër pas vendimit të Këshillit të Ministrave për t’i kaluar Kopshtin Botanik Bashkisë së Tiranës. Dekanati deklaron se pas një mbledhje të jashtëzakonshme i kërkon qeverisë që të tërhiqet sa më shpejt dhe të anulojë vendimin, pasi e cilëson si shkelje të autonomisë dhe lirinë akademike.

Dekanati thotë se vendimi është arbitrar dhe në kundërshtim flagrant me VKM–në e vitit 1965 për krijimin e Kopshtit Botanik. “Në këtë kontekst ne mirëpresim planet dhe investimet e Bashkisë Tiranë, por gjithnjë të dakordësuar dhe pa cenuar funksionin e misionin e Kopshtit Botanik”, thotë dekanati, duke theksuar se ky kundërshtim publik është vetëm hapi i parë i kundërshtimit të këtij kalimi.

Në vendimin e datës 17 korrik, qeveria njoftoi se Kopshti Botanik bëhet pjesë e pasurive të paluajtshme të Bashkisë së Tiranës.

Megjithatë UT ka një marrëveshje me bashkinë që i garanton ushtrim të aktivitetit mësimor e të veprimtarive kërkimore-shkencore të Universitetit të Tiranës në ambientet e Kopshtit Botanik sa herë që është e nevojshme.  Nga ana tjetër Bashkisë së Tiranës i është ndaluar të ndryshojë destinacionin e pasurive që i kalojnë në pronësi.

Kopshti Botanik i Tiranës u ndërtua në vitin 1964 dhe zë një sipërfaqe prej 15 hektarësh bimësi dhe gjelbërim pranë liqenit. I përfunduar në vitin 1971, kopshti ka një koleksion fito-gjeografik me vlerë kulturore dhe shkencore. Kopshti ishte pjesë e Universitetit të Tiranës dhe I shërben shkollave në mbarë vendin. Kopshti përdoret për qëllime edukimi, si atraksion turistik dhe konsiderohet si një parajsë e vogël e gjelbër dhe vendi më i preferuar i gjelbër në Tiranë.



Skip to toolbar