Shkolla “Bedri Llagami” hap dyert, Veliaj: Vaqarri, një tjetër portë hyrëse e Tiranës moderne

AKTUALITET


Shkolla “Bedri Llagami” në Vaqarr është një nga 10 shkollat e reja që do të hapë dyert për nxënësit këtë vit shkollor. Me një kapacitet prej 600 nxënësish, shkolla e re, e rindërtuar pas shembjes nga tërmeti i shkollës së vjetër, përveç 5 klasave për sistemin parashkollor dhe 19 klasave për nxënësit e sistemit 9-vjeçar dhe atij të mesëm, do të ketë edhe një palestër dhe dy fusha të hapura sportive.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet për shkollën e re, tha se pas vonesave për çështjen e pronës, tani puna ka ecur me ritme të kënaqshme dhe shkolla ndodhet në fazën e fundit përpara hapjes përfundimtare të saj këtë sezon. “Më vjen mirë që i kemi zgjidhur të gjitha çështjet e pronave, çibanëve, ndërtimeve të paarsyeshme, të palejueshme, dhe më në fund, toka do të jetë vetëm shkollë dhe për nxënësit. Puna ka ecur pak më shpejt dhe kemi pasur më pak andralla me atë pjesë të shkollës, që kontestohej për shkak të pronës. Tani nuk kemi asnjë pengesë. Na dhëntë Zoti mot të mirë, që të vijojmë me marshin e pestë dhe ta çojmë deri në fund. Kjo është një nga shkollat më të mëdha që kemi në zonat rurale,” u shpreh ai.

Veliaj tha se shkolla, e cila ndodhet fare pranë lagjes së re të rindërtuar në Vaqarr, kompleton korpusin arsimor dhe i jep një tjetër vlerë zonës. “Gjithmonë e më shumë do i referohemi Vaqarrit si një zonë tashmë e urbanizuar. Vetë zona këtu, e ish-repartit ushtarak, është e urbanizuar me ndërtimin e shtëpive pas tërmetit. Në njërën anë të rrugës mbaruam çerdhen e kopshtin dhe tani parashkollorin e bashkëngjisim me shkollen, që t’i japim mundësi çdo fëmije, që nga mosha 3 deri në 18 vjeç të mos ketë më asnjë arsye pse të hipë nëpër furgona e të vijë varavingo rrugëve. Sikur një orë të fitosh në ditë bën një kurs sportiv, mëson një gjuhë të huaj, apo kodim, ndaj besoj se ky është një lajm i jashtëzakonshëm për ta kthyer vërtet Vaqarrin në një stacion nga Kombinati, por brenda Tiranës urbane,” deklaroi ai.

Nga ana tjetër, Veliaj tha se Vaqarri do të kthehet në një tjetër portë hyrëse të Tiranës moderne. “E gjithë zona e Vaqarrit, Kombinatit, është një portë hyrëse e Tiranës. Me mbarimin e lagjes së re në Kombinat, aty ku kemi ecur me 10 pallate, me një cilësi mbresëlënëse, konturohet edhe hyrja jugore e Tiranës. Duke pasur edhe institucionet arsimore këtu, një pjesë e madhe e dyndjes që ndodhte më parë për të shkuar në drejtim të “21 Dhjetorit” apo Njësisë 6 dhe 7, besoj se qetësohet. Pas shkollave të reja në Pezë dhe riparimin e shkollave në Ndroq, shkolla ‘Bedri Llagami’ është vërtet qershia mbi tortë”, nënvizoi kryebashkiaku.

Veliaj shtoi edhe faktin se Bashkia e Tiranës po punon me të njëjtin standard, si në qendër edhe në periferi. “Jam i lumtur sepse nuk po bëhet një ndërtesë në fshat me një standard të dytë, por po bëhet me standardin më të lartë që ne kemi. Kur shoh veshjen e shkollës, e cila ngjan me shkollën “Kosova” dhe shumë prej shkollave që kemi bërë, i japin dinjitet një fëmije dhe një familje që sjell fëmijën në këtë këtu,” përfundoi ai.



Skip to toolbar