Shkrumbohen dy banesa në Korçë, shkaqe të paqarta të rënies së zjarrit

AKTUALITET


Mëngjesin e të mërkurës flakët e zjarrit kanë përfshirë dy banesa në qytetin e Korçës. Mësohet se në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në lagjen nr.12 në Korçë, zjarri ka rënë fillimisht në njërën prej banesave. Më pas flakët kanë përfshirë edhe banesën tjetër. Nga zjarri ka mbetur e shkrumbuar plotësisht njëra prej banesave, ndërsa tjetra është djegur pjesërisht.

Megjithatë, fatmirësisht nga flakët nuk ka pasur dëme në njerëz, vetëm në materiale të cilat kanë qenë të shumta. Nga informacionet paraprake raportohet se në një nga banesat në momentin që ka rënë zjarri nuk ka pasur njerëz. Ndërkohë, në tjetrën, personat që ndodheshin brenda kanë arritur të dalin në kohë, duke i shpëtuar flakëve.

Menjëherë pas  lajmit për rënien e zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë mbrritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë punuar për neutralizimin dhe shuarjen e flakëve. Gjithashtu, në vend ngjarje ka mbrritur dhe forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të bërë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkakut të rënies së zjarrit.



Skip to toolbar