“Vdiq një banor”, Pampuri: Duhet të isha më e kujdesshme

POLITIKË


Pasi përhapi një Fake News në media dhe panik te banorët, ish deputetja demokrate Oriola Pampuri ka reaguar duke thënë se është e lumtur që gaboi me deklaratën e saj. Pampuri tha më herët se një nga banorët e Astirit u vra nga policia gjatë përplasjeve mes tyre për prishjen e ndërtesave. Pampuri shkruan se duhet të ishte treguar më e kujdesshme në lidhje me deklarata e saj, por është e lumtur që shtetasi Mahmut Himallari, që ajo e shpalli të vdekur, është gjallë dhe mirë me shëndet.

 “Për herë të parë jam e lumtur, që më informuan gabim….Sot e pamë se si mundi, investimi, djersa dhe gjaku i banorëve të Unazës së Re, u hodh poshtë, u përçmua. Sot e pamë edhe ndjeshmërinë e qeverisë, edhe për objektet që ka bërë shpronësimet dhe vlerat qesharake, shumë larg vlerave të tregut. Njeriu nuk mund të rrijë pa reaguar, madje as pa u përfshirë emocionalisht, e sidomos kur ke 1 vit rresht që qëndron me ta, e në kulmin e përballjes me policinë dhe në një intervistë spontane, e rrethuar nga banorë të terrorizuar e dhunuar nga policia. Qan hallet dhe brengat. Sigurisht që të mbushen sytë me lot, kur të marrin në telefon disa nga banorët dhe të thonë që ka ndodhur gjëma, se Mahmuti ka ndërruar jetë. Fatmirësisht Mahmut Himallari është mirë me shëndet. Pastë jetën e gjatë që t’ju tregojë nipave, mbesave dhe shqiptarëve se njeriu ka forcë të përballojë gjithçka. Mahmuti është mire, po merr kurimin e duhur!

Për here të parë jam e lumtur që me informuan gabim. E pranoj që duhet të isha treguar më e kujdesshme, por si nënë, grua dhe një mikeshë e banorëve nuk mund të rrija e heshtur pas atyre telefonatave. Nuk po justifikoj gabimin tim, por po ndaj lajmin që Mahmut Himallari është mirë. I uroj shërim të shpejtë dhe durim për të përballuar gjëmën, që tashmë është e gjithë shqiptarëve” tha Pampuri.



Skip to toolbar