Kryeministri Edi Rama ishte në Spitalin e Traumës mbrëmjen e të martës, aty ku janë shtruar qindar persona që lënduar nga tërmeti. Gjatë një fjale për mediat, Rama i është përgjigjur kërkesës së opozitës për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Rama tha se për këtë gjë do të vendoset ditën e mërkurë, që është shpallur dhe ditë zie kombëtare.
“Është e çuditshme që e dëgjoj këtë pyetje nga mëngjesi deri në darkë, nuk ka kuptim sot, çfarë do të thotë? Akti formal i gjendjes së jashtëzakonshme nuk është se sjell më shumë sesa ka sjellë. Natyrisht nesër është dita për të menduar të gjitha edhe këtë që po thoni ju, nejse, ju jeni të pafajshëm, të fajshëm janë ata që vijojnë të cysin edhe sot. Ne do i vlerësojmë të gjithë, por një gjë është e sigurt, këta njerëz do të trajtohen në mënyrë dinjitoze nga strehimi. Nuk kemi pasur kohë të mendojmë për aspektet formale, kemi dhënë dhe po japim gjithçka. Ditën dhe natën nuk jemi Franca, Gjermania, as Greqia dhe Italia që kanë eksperienca të gjata në këto sfida, por më lejoni të jem mirënjohës”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se nata që kaloi ishte më e keqe sa s`mbahet mend. Megjithatë, Kryeministri shprehu falenderimin për vendet që u solidarizuan për të përballuar këtë situatë të vështirë që po kalon vendi.
“Ka kaluar nata me e keqe që s’mbahet mend për të gjithë kombin shqiptar. Fatkeqësisht kanë humbur jetë njerëzish, por kjo ditë ka pasur lehtësimin shpirtëror nga jo pak jetë të shpëtuara dhe kjo ditë ka qenë, dita e gjithë atyre njerëzve të zakonshëm që me uniformën e policisë së shteti, urgjencës, zjarrfikëseve apo edhe uniformave nga trupat e ardhura nga Kosova kanë ndihmuar. Kanë qenë të gjithë elementë të kësaj dite. Bluzat e bardha vazhdojnë të jenë në krye të detyrë për të shpëtuar jetë njerëzish për të lehtësuar traumën. Bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar. Kjo ka qenë një ditë sa e rëndë aq e mbushur me emocione për shkak të solidaritet të të gjithë shqiptarëve dhe të miqve të këtij vendi që janë ngritur në këmbë, që nga Italia, Greqia , Franca, Turqia, Gjermani, Kroacia”, tha Rama.
Rama “thumboi” dhe Ilir Metën, i cili javët e fundit i ka vënë në fokusin e sulmeve të tij ambasadat e huaja në Shqipëri. Rama u shpreh se pikërisht këto ambasada që janë vënë në shënjestër, treguan gatishmërinë e tyre për të përballuar këtë situatë.
“Ambasadat, që në ditët e fundit i kemi në një shënjestër që na turpëruar të gjithëve, sot që në mëngjes herët në emër të SHBA dhe BE-së na kanë shprehur gatishmërinë e tyre. Më vjen mirë që mund ta them tani, qeveria ka bërë maksimumin, menjëherë në terren të gjithë ministrat. Është surreale që të flasësh më presidentin e Francës përballë një gërmadhe në Durrës, apo të Greqisë kur je përballë një tjetre, apo Italisë. E them për të treguar gatishmërinë. Po punojmë për atë që vjen nesër, do të jetë ditë zie kombëtare. Do të fillojmë për të realizuar të gjithë procesin e kalimit të njerëzve pa çati dhe që refuzojnë të futen në palestër. Sot kam punuar në këtë drejtim me kolegët për të ndërtuar një marrëveshje me operatorët turistikë për hotelet në bregdet. Duhet të rindërtojmë gjithcka të kthejmë njerëzit në shtëpi të reja të forta dhe koha nuk pret” tha Rama.