Nëkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka reaguar pas vendimit të KQZ-së për të mos marrë në konsideratë dekretin e Ilir Metës. Vasili e cilëson këtë akt të KQZ si “puç institucional”. Sipas Vasilit, me aktin e kësaj të hëne, KQZ ka konsumuar vepër penale, duke përdorur edhe ironi për këtë.
“KQZ e krimit të organizuar konsumoi veprën e rëndë të puçit institucional duke refuzuar dekretin e Presidentit për zgjedhjet. Anëtarët e rilindjes në KQZ u vetëngarkuan me përgjegjësi shumë të rëndë penale nga e cila nuk i shpëton dot as Edi Rama dhe askërkush. Meqë kanë zgjedhur të shkojnë në burg për Edi Ramën, udhë të mbarë”, shkruan Vasili.
Në sinkron me LSI-në, të paktën për nga koha, ka ardhur dhe reagimi i Partisë Demokratike, me anë të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi. Në një koment në Facebook, Bardhi shkruan se vendimi i anëtarëve të KQZ është shpërdorim i turpshëm i detyrës.
“Mos u habisni! Mos u skandalizoni nga shpërdorimi i turpshëm që po i bëjnë detyrës disa anëtarë militantë të PS në KQZ! Këta që marrin përsipër të shqyrtojnë dhe të refuzojnë një dekret presidencial, janë ekzaktësisht të njëjtët militantë që pohuan përpara Gjykatës Kushtetuese se Kushtetuta mund të ndryshohet edhe me vendim qeverie. Po të njëjtët, sot, thonë se Dekreti i Presidentit të Republikës shpallet i pavlefshëm me vendim të degës së Partisë Socialiste në KQZ”, shkruan ndër të tjera Bardhi.