Tit Vasili: Meta “engjëll”, Venecia “djall”

Petrit Vasili i quan “fitore” shkeljet që Ilir Meta i bëri Kushtetutës. Në një shkrim në Facebook, nënkryetari i LSI del në mbrojtje të ish-shefit të tij në parti, dhe sulmon Komisionin e Venecias (që vetë Meta para raportit e vlerësonte maksimalisht). Gjuha e përdorur nga Vasili është e rëndë. Ai i quan “trakte” përfundimet e Venecias, ndërsa juristët e këtij Komisioni (të cilëve u kërkon mendim çdo shtet i botës), për Tit Vasilin s`janë gjë tjetër veç se një “trupë policiore”.

“Në kontrast me këtë realitet shumë të qartë e të faktuar shfaqen qesharake edhe përpjekjet e ndonjë trakti Venecian që mori atributet e një trupe policore dhe që u përpoq mjerueshëm t`i krijonte alibi politikës kriminale të Edi Ramës, duke dalë hapur kundër Sigurisë Publike të Shqipërisë dhe shndërrimit të saj në një shesh civil lufte me pasoja shkatërrimtare”. Pra, në këtë kontekst, ashtu si Ilir Meta i mbetur pa mbështje ndërkombëtare, i sulmoi partnerët e huaj, edhe Vasili, (që SHBA s`i jep vizë), sulmon Komisionin e Venecias, por dhe këtë herë e bëri sipas rastit.

Pasi, në 5 dhjetor të një viti më parë, Petrit Vasili, “vlerësonte” këtë Komision, kur publikonte raportin për Vettingun e politikanëve. “Komisioni i Venecias konfirmon Vetingun e politikaneve dhe krimin qe ka pushtuar shtetin. Komisioni i Venecias konfirmon qartë e zeza mbi të bardhë që krimi ka pushtuar shtetin dhe ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te institucionet dhe nevoja për veting të politikës është plotësisht legjitime”, shkruante Vasili gati një vit më parë, duke vlerësuar punën e Komisionit të Venecias.

Në fakt, gjuha e përdorur ndaj Komisionit të Venecias nga  Petrit Vasili, duket si ajo e Presidentit Ilir Meta ndaj ndërkombëtarëve. Por, në këtë rast, Meta është rezervuar për të “replikuar” me Venecian, pasi vetëm pak javë më parë, në 55 faqe raport për “mbrojtjen” e tij, Meta e vlerësonte këtë Komision me superlativa. Madje, kreu i shtetit e citoi vazhdimisht “Venecian” për rekomandimet që institucioni i njohur konstitucionalit ndërkombëtar, dha për hartimin e Reformës në Drejtësi. Por, pas publikimit të raportit, Meta duket se e ka të vështirë të sulmojë drejtpërdrejt këtë komision, ndaj me “penën” e Vasilit, veten e shpall “ëngjëll” e Venecian “djall”. /Realstory.al./

Vasili si Meta, sulmon Sorecën: Po mbyllni sytë

Nënkryetari i LSI Petri Vasili sulmoi të dielën Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca. Në një postim në rrjetet sociale, duke iu referuar deklaratave të ambasadorit se “Gjermania nuk ka vendosur kushte shtesë për negociatat”, Vasili shkruan: “Gjermania thotë kushte, Soreka i përkthen elemente, kush e ngatërroi? Kryesuesi i Delegacionit Europian në Tiranë Soreka dje duke folur në media për Rezolutën e Bundestagut gjerman “çuditërisht u ngatërrua” dhe tha se kushtet e qarta gjermane sipas tij qenkan elemente. Kushtet gjermane janë dhe mbeten të tilla dhe këtë nuk e luan topi”.

“Kushtet gjermane jane dhe mbeten te tilla dhe këtë nuk e luan topi…që disa ndërkombëtarë kanë mbyllur sytë përpara zhbërjes së shtetit të së drejtës, të zgjedhjeve të lira të lulëzimit të krimit, të trafiqeve dhe të parave të pista, janë fakte që nuk i luan as topi”, shkruan ndër të tjera Vasili.

Po çfarë tha Ambasadori Luigi Soreca të shtunën? Ai u shpreh se Gjermania nuk vendosi kushte shtesë: “Çelja zyrtare e negociatave do të ndodhë në këtë konferencë ndërqeveritare. Ndërkohë kemi dhe disa elementë të tjerë që i gjejmë në rezolutën e Bundestagut, natyrisht janë elementë që janë quajtur kushte të përgjithshme, që janë elementë që duhen përmbushur pikërisht përpara hapjes së kapitujve të caktuar gjatë negociatave”, është shprehur ambasadori Soreca. Në fakt, Ambasadori Soreca citoi pjesë nga Rezoluta e Bundestagut, që përcakton tre kërkesa kryesore për marrjen e datës për negociatat: Krijimin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Reforma Zgjedhore.

13 tetori, LSI sulmon KQZ, por harron se Metën e rrëzoi Kolegji Zgjedhor

Të shtunën dështoi mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që do duhet të diskutonte kërkesën e partive opozitare për zhvillimin e zgjedhjeve të 13 tetorit. Dështimi i kësaj mbledhje nuk është pritur mirë nga opozita, e cila e ka quajtur “veprim banditësh”. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, ka sulmuar KQZ dhe anëtarët e saj, duke i quajtur “kamikazë”.

“30 qershori i paligjshëm dhe faqe e zezë në historinë e Shqipërisë. Zgjedhjet në 13 tetor, kjo është rruga dhe shpëtimi i vetëm për shqiptarët dhe integrimin. KQZ kreu një veprim banditësh sepse zgjedhjet nuk i ndalin dot 4 kamikazë të rilindjes në KQZ. Edi Rama dhe rilindja gjallojnë vetëm përmes bojkotimit të zgjedhjeve të lira e dt ndeshme dhe bojkotit të çdo forme të funksionimit të shtetit të së drejtës”, shkruan ndër të tjera Vasili.

Ndërkohë, dekreti i Ilir Metës për zgjedhjet e 13 tetorit është ‘nul’, pasi është rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor, gjykata supreme e zgjedhjeve, vendimet e të cilës nuk kanë rekurs. Në këto kushte, do të jetë Gjykata Kushtetuese, kërkesë edhe amerikanëve (lexo intervistën e Matheë Palmer), që do të bëj vlerësimin e dy dekreteve të Metës, atij të 10 qershorit për anulimin e 30 qershorit dhe atij për 13 tetorin, që e shpallte ditë zgjedhjesh.

Ndërkohë, pas ditës së diel të 4 gushtit, dekreti i Ilir Metës për 13 tetorin, veç rrëzimit nga Kolegji Zgjedhor dhe gjykatat e shkallëve të para në vend, është zyrtarisht ‘nul’ edhe për shkak të afateve ligjore të regjistrimit të subjekteve politike, 70 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve në KQZ.

Përçahet opozita? Vasili: Gati të ulemi me Ramën në tavolinë

Nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka deklaruar e është i gatshëm të ulet të diskutojë me Ramën për zgjidhjen e krizës pasi pasojat e saj po i vuan Shqipëria. Vasili tha se Rama është kryetar i PS dhe zgjidhja e krizës duhet të bëhet mes opozitës dhe PS. Vasili nuk përmendi se ky dialog do të zhvillohet me Ramën kryeministër apo jo,  por thjeshtë e cilësoi atë si kryetarin e PS, postë të cilin ai e gëzon së bashku me atë të Kryeministrit. 

“Edi Rama është kryetar i Partisë Socialiste dhe kriza do të zgjidhet mes opozitës dhe PS-së. Unë shpreh vullnetin tim që zgjidhja të marrë fund sepse pasojat e krizës i vuan Shqipëria dhe ekonomia e saj. Duhet rikthim i shtetit ligjor. Kriza e zgjatur del jashtë kontrollit dhe të dëmtuarit janë gjithmonë qytetarët”. – tha Vasili për A2 CNN.

Ky qëndrim është i ndryshëm nga ai i PD, ku Basha deklaron me forcë se nuk dialog me Ramën si Kryeministër. Megjithatë Vasili shtoi se kjo ulje në tryezë nuk do të thotë se LSI ka pikëpamje të ndryshme nga PD, pasi opozita kërkon zgjidhjen e krizës dhe mirëpret ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve..

“Me PD-në nuk kemi pasur asnjë ndarje për çështje të mëdha të karakterit parimor. Mendojmë njëlloj që kriza duhet zgjidhur, ndërmjetësimi ndërkombëtar është i mirëpritur dhe në 13 tetor të shkojmë të mbajmë zgjedhje dhe t’i heqim damkën e votimeve vendit tonë”. – tha Vasili

Në fakt pas damkës së keqe që opozita mori me protesta e saj të dhunshme tek faktori ndërkombëtar, pas 30 qershorit është parë një ndryshimin i qëndrimit të saj në përpjeke për të rregulluar sërish marrëdhëniet. Edhe pse vazhdimisht kanë zhvilluar takime dhe kanë kërkuar ndërmjetësimin e tyre për të zhvilluar tryezën e dialogut në vend, duket se këtë herë i gjithë faktori ndërkombëtar është i vendosur dhe shprehet në një zë: Krizën zgjidheni brenda jush.

“Do dështojë”, PD-LSI ‘pendohen’ që votuan Reformën në Drejtësi

Tre vjet nga data 21-22 korrik, që solli miratimin unanim të ndryshimeve kushtetuese në Parlament, që i hapën rrugën Reformës në Drejtësi, ka bërë që përfaqësues të opozitës të reagojnë, duke përkujtuar atë datë. I pari që reagoi nga opozita, ishte Oerd Bylykbashi, ish-nënkryetar i Komisionit përgjegjës për hartimin e Reformës në Drejtësi. Tre vjet pas votimit në kuvend, ish-deputeti i opozitës shprehet për se drejtësia tashmë është kapur nga Edi Rama.

“Ja ku jemi tre vite më ps. Para dy ditësh Gjykata e Durrësit skandalizoi të gjithë komunitetin e juristëve, por edhe shumë njerëz të thjeshtë, duke marrë një vendim për konfirmimin e mandatit të kandidates së PS për kryetare bashkie kur po kjo gjykatë me vendim ia kishte refuzuar mandatin. Një brutalitet antikushtetues! Rama kësaj rradhe ka bërë gjyqtar-shopping. Ky skandal ka tmerruar çdo parim të sigurisë juridike”, shkruan ndër të tjera Bylykbashi në një status të tij. Më pas ka reaguar dhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, i cili gjithashtu shprehet se Edi Rama ka kapur drejtësinë. “Të gjitha detyrimet e vëna në Kushtetutë në 21-22 korrik nga strikte, të prera e rigide, u bënë si llastik që e hapte qeveria, pa kushtetutë e ligj, sa i do qejfi për ta kapur totalisht drejtësinë, shumë më keq se më parë”, shkruan ndër të tjera Vasili.

Në këto kushte, si Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili shprehen të zhgënjyer, ndoshta për votën që i dhanë reformës në drejtësi. “Qytetarët i besuan puthjes së 21-22 korrikut, por zhgënjimi i tyre pasi humbën edhe atë pak drejtësi që kishin, kërkon sot që ndërkombëtarët ti japin shuplaka dhe jo lëvdata qeverisë për kapjen skandaloze të drejtësisë”, shkruan ndër të tjera Vasili, duke pasur parasysh takimin e ish-ambasadorit të SHBA Donald Lu dhe asaj të BE Romana Vlahutin, të cilët pas votimit në parlament të reformës, patën një takim miqësor mes tyre.

Ndërkohë, Oerd Bylykbashi shprehet dhe më pesimist dhe i zhgënjyer, duke treguar se sipas tij ky sistem drejtësie do të dështoi brenda 10 vitesh. “Para tre vitesh kam deklaruar publikisht se me këtë arkitekturë hibride që nuk ka kushëri askund mes sistemeve evropiane, frut i një eksperimenti, ky sistem drejtësie dështon brenda 10 vitesh. Nuk është se kam ndryshuar mendim, por shpresën e kam që ta kem gabim. Tani bindja ka triumfuar mbi shpresën, për fat të keq”, shprehet ndër të tjera Bylykbashi.

Opozita refuzoi fillimisht të bashkëpunonte dhe votonte ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi, por më pas, e gjendur nën presionin ndërkombëtar të SHBA dhe BE, të cilët u investuan fuqishëm për miratimin e kësaj reforme, opozita votoi në unanimitet pro ndryshimeve kushtetuese. Megjithatë, tre vite më pas, reagimet dhe qëndrimet e opozitës, shpesh duke sulmuar dhe ndërkombëtarët, tregojnë raportin e saj me reformën në drejtësi, aq sa tani lë të kuptohet se është bër pishman që ka votuar këtë reformë.

LSI, frikë për Metën. E krahason me Nishanin dhe Moisiun, (por harron detajet)

Ish kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili i ka dalë në mbrojtje presidentit Meta duke e cilësuar ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin tij si një vendim pa asnjë vlerë juridike dhe një “kalbësirë kriminale”. Vasili argumenton se Presidenti Meta nuk mund të shkarkohet për dekretet e tij, pasi të njëjtën gjë e kanë bërë më parë edhe presidenti Nishani dhe Moisiu, por që nuk përmend se Moisiu, ndryshe nga Meta, e kreu këtë veprim, vetëm pasi palët politike bënë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor, ku Presidenti Moisiu të bazonte shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa Nishani e bëri lëvizjen pas paktit Rama-Basha.

Komision hetimor është i vdekur është një kalbësirë kriminale sepse juridikisht është zero dhe moralisht është më pak se zero. Juridikisht zero sepse mblidhen të diskutojnë ndërkohë që janë në një paligjshmëri të plotë. Dekretet e Presidentit janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. Si veprim juridik ishte dhe mbetet thjesht një precedent si gjithë të tjerët më parë. Një precedent që e ka aplikuar në mënyrë korrekte Presidentët Nishani dhe Moisiu në funksion të situatës. Pra s’ka asnjë ngjarje juridike, dhe juridikisht nuk ekziston asgjë.” – shkruan Vasili në Facebook.

Por, ndërsa Vasili e krahasoi dekretin e Metës me dekretin e Moisiut nuk përmendi faktin se Moisiu ndërmori një veprim të tillë, pasi palët politike ranë dakord që të ndërhyjnë në Kodin Zgjedhor për të bërë ndryshimet përkatëse që lejonin shtyrjen e zgjedhjeve. Vetëm pasi palët politike futën një nen të veçantë në Kodin Zgjedhor, Presidenti Moisiu nxori një dekret të ri për zgjedhjet, ndërsa Meta e bëri këtë veprim komplet në mënyrë të njëanshme, që sipas tij, kishte marrë sinjale nga shërbimet e huaja për trazira dhe donte të mirën e vendit.

Edhe për rastin e shtyrjes së zgjedhjeve nga Presidentit Nishani, Vasili sërish keqinformoi, duke mos përmendur se edhe në vitin 2017, pati një pakt Rama-Basha që u bë shtyrja e zgjedhjeve, ndërsa Ilir Meta i shtyu zgjedhjet pa asnjë pakt dhe pa asnjë garanci nga asnjëra palë. Madje, vetë PD ka deklaruar se as 13 tetorin nuk e njeh si datë zgjedhjesh, pavarësisht dekretit për anulimin e paprecedentë të 30 qershorit.

Sipas Vasilit, Rama kërkon të hetojë vetëm rastet që nuk i interesojnë atij dhe shpik komisione në paligjshmëri të plotë. Madje Vasili shtoi se Komisioni Hetimor nuk ka çfarë faktesh apo provash juridike të hetojë “Komisioni Hetimor është zero. Materia juridike me dispozicion te tij është më pak se zero, sepse çdo te bëjnë do të hetojnë të gjitha precedentët e shtyrjes së zgjedhjeve? Apo shtyrjet e zgjedhjeve që i interesojnë Edi Ramës janë të ligjshme ndërsa te tjerat jo!?”

Vasili ka folur edhe për anën “morale të komisionit hetimor’ duke i cilësuar anëtarët e saj si banditë që janë bërë njësh me krimin dhe janë aty falë vjedhjes së votave. “Ata, që drejtojnë këtë komision janë nën akuzë se kanë vjedhur vota, duke u bërë njësh me krimin, kanë manipuluar pushtetin për vota, u kanë bërë kërcënime njerëzve dhe falë Bild-it dhe Zëri të Amerikës u njoh botërisht dhe hapur krimi zgjedhor i tyre dhe çdo shqiptar i dëgjoi me veshët e tij se çfarë janë këta. A kanë moral të flasin për paligjshmëri këta banditë?” – shkruan Vasili.

Komision hetimor per Presidentin, nje kalbesire kriminale me zero vlerë.Komision hetimor eshte i vdekur eshte nje…

Gepostet von Petrit Vasili am Mittwoch, 10. Juli 2019

Vasili sulmon ambasadorët me status racist

Sulmet ndaj ambasadorëve dhe partnerëve ndërkombtar, që nisi ish-kreytari i LSI (aktualisht President i Republikës), i vijojnë me të njëjtën frymë anëtar dhe drejtues aktual të LSI-së. Nënkryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili, ka reaguar për deklaratat e ambasadorit të Austrisë në Tiranë, që i drejtohej Voltana Ademit se “nuk jemi më në 1913). Numri dy i LSI-së, e ka cilësuar ambasadorin austriak “të sponsorizuar nga kryeministri”, dhe që në Shqipëri vjen vetëm për të bërë pushime, ndërsa sulmin e tij e rëndon dhe më tepër me një shprehje raciste, kur shprehet se “kryeministri që bën votime moniste që s`gjenden më as në Afrikën e zezë”.

“Shqipëria jeton akoma (edhe për shumë pak kohë) nën një kryeministër të 1913, edhe sepse disa ambasadorë kanë bërë vetëm e vetëm pushime në Shqipëri, mos e dhëntë zoti të sponsorizuar nga vetë kryeministri që bën votime moniste që s`gjenden më as në Afrikën e zezë. Këto votime për faqe të zezë ku kryeministri vjedh edhe veten e bëhet gazi i botës disa… nuk i shohin. Dhe pastaj na thonë didaskalirat e integrimit evropian. Integrim evropian me monizëm ua ua ua”, shkruan Petrit Vasili.

Sulmet ndaj ambasadorëve nuk janë gjë e re për LSI-në, e frymëzuar nga ish-kryetari i saj, sot president në largim, Ilir Meta. Por të përdorësh shprehje raciste duke etiketuar popullsinë e një kontinenti të tërë për shkak të ngjyrës, kjo është e tepërt dhe e rëndë, thënë nga një drejtues i një prtie, që pretendon standarde dhe vlera, për më tepër, që cilëson si target elektoral të rinjtë.

Deklarata e SHBA, Vasili: Nuk kuptova, amerikanët larg qendrës!

Pas deklaratës së SHBA, nëpërmjet ambasadës në Tiranë, e cila u shpreh se mbështet Raportin Paraprak të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit dhe se palët që kërkojnë kontestim të zgjedhjeve, duhet të presin ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ka ardhur dhe reagimi i parë nga opozita.

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i ftuar në një emision televiziv, ka komentuar deklaratën e SHBA-së. Vasili ka folur me ironi, duke u shprehur “Ambasada nuk është informuar”.

“S’kuptova gjë. Thotë që do ta gjykojë Kushtetuesja, por kush do ta bëjë gjykatën Kushtetuesë? Në 30 qershor me dekret nuk kishte zgjedhje, u anuluan dhe u vendos data 13 tetor. Me siguri Ambasada nuk është informruar dhe është dhe larg qendrës”, tha Vasili.

Në fakt, opozita e ka lexuar raportin e OSBE-ODIHR si konfirmim të kauzës së opozitës, e cila është shprehur se zgjedhjet ishin farsë. Megjithatë, Raporti Paraprak i ODIHR, konfirmoi zgjedhjet, të cilat u mbajtën të qeta, duke evidentuar sigurisht mungesën e opozitës në to, por nuk u shpreh kundër tyre.

Raporti ODIHR, opozita: Tha se nuk pati zgjedhje

Publikimi i raportit paraprak i OSBE-ODIHR nuk i kurseu kritikat si për qeverinë, ashtu edhe për opozitën në lidhje me mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe nuk la mënjanë as KQZ-në. Pas publikimit të këtij raporti kanë ardhur edhe reagimet e opozitës duke deklaruar se raporti i OSBE/ODIHR vërtetoi edhe një herë se në 30 qershor nuk ka zgjedhje, pasi qytetarët nuk kishin mundësi për të zgjedhur.

Ish-deputeti i PD, Oerd Bylykbashi e cilësoi raportin e si më të ashprin se misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR ka publikuar në këto 28 vitet e fundit.

 “OSBE/ ODIHR iu tha shqiptarëve se më 30 qershor nuk pati zgjedhje. Mungesa e zgjedhjes i ka bërë këto zgjedhje nul. ODIHR iu tha shqiptarëve se ata nuk patën mundësi për të zgjedhur dhe kandidatët nuk kishin rivalë. Kjo është deklarata më e fortë dhe më ashpër që ka bërë në këto 28 vjet OSBE/ODIHR. Kjo deklaratë e sotme bëri nul të gjitha përpjekjet e Edi Ramës dhe organizimin e një farse më 30 qershor. Opozita do të vazhdojë të provojë çdo shkelje më 30 qershor dhe do të bëjë të mundur që shqiptarët të zgjedhin në zgjedhje të lira e të ndershme.’ -tha  Bylykbashi

Në të njëjtën linjë ishte edhe ish-kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, i cili tha se raporti konfirmoi se procesi i zgjedhjeve ishte i paligjshëm dhe qytetarët nuk kishin mundësi të zgjidhnin.

“Vlerësojmë raportin e OSBE/ODIHR për votimet. Raporti konfirmoi që u zhvillua një proces i paligjshëm. Raporti konfirmon që mos-zbatimi i Dekretit, i paligjshëm. Raporti konfirmoi që vetëm Gjykata Kushtetuese shprehet për Dekretin. Raporti konfirmoi që nuk pati asnjë mundësi për zgjedhje nga qytetarët dhe se vendimet e KQZ kanë qenë sipas urdhrit partiak”-tha Vasili

Garda mbron KQZ, Vasili: I kërcënon vetëm ligji

Mbrojtja e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Garda e Republikës, ka sjell edhe reagimin e nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili, i cili i ka cilësuar ato si puçistë që kanë shkelur Kushtetutën duke refuzuar dekretin e presidentit Meta për shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

“Këta anëtarë janë thjesht puçistë,që kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjin duke refuzuar dekretin e presidentit.” Vasili shtoi se nga e vetmja gjë që anëtarët e KQZ-së duhet të ruhen është ligji.

Kërcënimi i vetëm këtyre anëtareve të KQZ, ju vjen nga ligji, të cilin e kanë shkelur dhe dhunuar ne emër te rilindjes dhe me urdhër të saj.”- shkruan Vasili në facebook.

Pasi KQZ vendosi të mos njihte dekretin e Ilir Metës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, ajo vijon punën normalisht me katër anëtarët e mbetur Denar Biba, Bledar Skënderi, Edlira Jorgaqi dhe Rezarta Bitri. Kryetari i këtij institucioni, Klemenet Zguri ka bojkotuar mbledhjet që pas vendimit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve.

Ai i mbrojne dot bodyguardet anetaret e rilindjes ne KQZ nga pergjegjesia para ligjit ???Anetaret e rilindjes ne KQZ…

Gepostet von Petrit Vasili am Mittwoch, 12. Juni 2019
Skip to toolbar