Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në zonën e ish-bllokut, që ka sjellë plagosjen e 5 personave, ndërsa shpërthimi ka shkaktuar tym të madh, duke alarmuar të gjithë zonën.
Shpërthimi ka ndodhur në rrugën “Vaso Pasha”, ku besohet të ketë shpërthyer një bombol gazi në një argjendari. Ngjarja e rëndë ka mobilizuar policinë dhe zjarrfikësit, ndërsa në vendngjarje ka shkuar edhe drejtori i policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.
Sipas të dhënave të para të policisë brenda dyqanit ndodheshin tre persona, të cilat janë plagosur nga shpërthimi i një bombole, që mendohet se përdorej për përpunimin e floririt. Në lidhje me identifikimin e të lënduarve, policia tha se janë plagosur Eneda Nura, 18 vjeçe, Ardanoel Serani, 23 vjeç, A.R, 24 vjeç dhe pronarët Alma dhe Sokol Pira të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjekësore.
Fillimisht nga dyqani janë nxjerrë një vajzë dhe një grua. Efektivët e policisë së rendit kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur të nxjerrin vajzën, e cila fillimisht kishte probleme me frymëmarrjen për shkak të tymit të madh që u përhap në të gjithë lartësinë e pallatit.
Po ashtu, mësohet se janë lënduar edhe persona të tjerë, që ishin kalimtarë, ose klientë në bizneset pranë vendit të shpërthimit.
Shpërthimi ishte mjaft i fuqishëm, saqë është dëmtuar edhe argjendaria ngjitur. Janë thyer xhamat e argjendarisë, ndërsa në rrugë janë shpërndarë edhe copëza betoni dhe objektesh pas shpërthimit. Janë dëmtuar edhe disa biçikleta me GPS që përdoren nga të rinjtë në Tiranë.
Bombula që ka shpërthyr ka qenë e mbushur me helium që përdoret për fryrjen e tullumbaceve. Mësohet se brenda në dyqan janë edhe dy bombola të tjera dhe për të shmangur rrezikun policia e Shtetit ka evakuuar zonën përreth dyqanit.