Shqipëri nuk do t`i paguajë 110 milionë euro biznesmenit italian Francesco Beccheti. Të paktën për momentin, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit për konfliktet e investimeve, ka pranuar kërkesën e palës Shqiptare për të rishqyrtuar çështjen e gjobës ndaj shtetit, në favor të biznesmenit italian.
Në prill të këtij viti, ishte po kjo gjykatë që paditi Shqipërinë me 110 milionë euro për konfliktin e investimeve me biznesmenin Beccheti. Regjistrimi i kërkesës për apelim nga pala shqiptare është bërë në datën 27 gusht nga Gjykata e Arbitrazhit në Washington, ku ka qenë Avokatura e Shtetit, që ka bërë kërkesën.
Ndërkohë, qeveria shqiptare ka kontaktuar një studio ligjore amerikane që do të bëjë mbrojtjen në këtë gjykatë. Bëhet fjalë për studion ligjore Foley Hoag, e cila do të ketë detyrën për të mbrojtur Shqipërinë me qëllim anulimin përfundimtar të gjobës prej 110 milionë euro, që vendi ynë mori në 24 prill të këtij viti.
Në fakt, ishte hera e parë që Shqipëria u gjobit me një shumë kaq të madhe nga një kompani e huaj, por Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit për konfliktet e investimeve, edhe pse dha një vendim të formës së prerë, la një mundësi për ankimim.
Kjo pikë është shfrytëzuar nga qeveria Shqiptare, duke bërë apelim të gjobës, e cila tashmë kalon në statusin e pezullimit të përkohshëm deri në rishqyrtim dhe marrje të një tjetër vendimi për këtë çështje. Lajmin për regjistrimin e kërkesës së Shqipërisë për pezullimin e gjobës në favor të Francesco Becchetit e ka dhënë vetë Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, e cila ka publikuar në faqen e saj zyrtare njoftimin për rregjistrimin e kërkesës së palës shqiptare.