Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video në rrjetin social ‘Facebook’, ku tregon sesi është transformuar sektori i energjisë prej vitit 2013.
Në videon e publikuar nga Rama janë pamje të radhëve për pagesat e energjisë elektrike para vitit 2013, vit ku socialistët erdhën në pushtet.
Rama shkruan se Shqipëria ishte një vrimë e zezë në mes të Europës me vjedhjet katastrofike në energji.
Rama thotë se falë reformave dhe punës së bërë, Shqipëria sot është prodhuesja më e madhe e energjisë diellore në rajon. Ai thekson se brenda mandatit të katër qeverisës, Shqipëria do të fitojë pavarësinë e plotë sa i takon furnizimit me energji.
“Mirmëngjes, dhe me këtë videokartolinë të transformimit epokal në sektorin energjitik prej vitit 2013, kur Shqipëria ishte vrimë e zezë në mes të Europës me vjedhjet e humbjet katastrofike të energjisë, radhët e gjata të gjysmës së popullit për të paguar faturat edhe për gjysmën që s’paguante, lëvizjet skandaloze të çmimit e zhurmat e gjeneratorëve nëpër rrugë, e deri sot kur jemi prodhuesit më të mëdhenj të energjisë diellore në rajon, kemi shërbime të digjitalizuara e një volum investimesh në vazhdim që do të na japin pavarësinë e plotë energjetike brenda mandatit të katërt, ndërkohë që kemi vendosur uljen e parë në 35 vjet të çmimit për konsumatorët familjarë, nga e cila përfitojnë mbi 1 milionë abonentë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama.