Shqipëria me rekorde ndaj Islandës. Nga goli ‘sefte’ i Hysajt, te rezultati historik

SPORT


Fitorja ndaj Islandës riktheu shpresën në kombëtaren tonë. Kjo ndeshje në fakt ishte deçizive për shumë arsye; së pari për të besuar ende te kualifikimi në Euro 2020, së dyti për të krijuar besim brenda grupit të lojtarëve dhe së treti për të rikthyer besimin e tifozëve te kjo skuadër. Madje, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një falënderim për tifozët, duke i dedikuar atyre një meritë të veçantë të suksesit të kuqezinjve.

Me anë të një mesazhi publik, FSHF shkruan; “Faleminderit nga zemra! Federata Shqiptare e Futbollit dhe të gjithë lojtarët kuqezi, dëshirojnë të falenderojnë tifozët tanë të mrekullueshëm që nuk e braktisin kurrë ekipin Kombëtar, që nuk kanë hezituar kurrë të bëjnë me mijëra kilometra për fanellën e shenjtë kuqezi dhe kanë qënë pranë skuadrës në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Ky binom, tifozë-lojtarë, na ka treguar edhe më parë se është binomi fitues. Së bashku kemi treguar se kur jemi të bashkuar mund të arrijmë rezultate që për shumë dukeshin utopike, duke bërë bërë të pamundurën të mundur. Ëndrra vazhdon, së bashku mund të shkojmë shumë larg”, përfundon mesazhi i falënderimit.

Megjithatë, ndeshja e së martës, pati dhe disa rekorde. Së pari, për herë të parë në historinë e ndeshjeve zyrtare, kombëtarja jonë shënon 4 gola ndaj një ekipi dhe për më tepër ndaj një rivali që ka pasur suksese të rëndësishme në futboll vitetet e fundit. Së dyti, për herë të parë në karrierën e tij si lojtar profesionist në nivele të larta, Hysaj shënoi gol. Më herët, Hysaj ka shënuar vetëm një gol kur luante me Empolin në Serie B në 17 prill të vitit 2014 në ndeshjen kundër Virtus Lanciano. Prej asaj date, Hysaj nuk ka shënuar më në asnjë ndeshje, jo vetëm në klube, por as në mbi 50 ndeshje të luajtura me ekipin tonë kombëtar. Goli i së martës, i jep mundësi mbrojtësit të rifitojë dhe vendin e titullarit te Napoli.

Një tjetër rekord ishte numri i biletave të shitura. Deri në mëngjesin e të martës ishin shitur shumë pak bileta, rreth 4 mijë. Por, deri në mbrëmje pak para se të niste ndeshja, u shitën gati 10 mijë bileta, duke bërë që shkallët e stadiumit të ishin pothuajse të mbushura. Një tjetër rekord i vendosur ndeshjen e së martës ndaj Islandës, ishte fitorja ndaj këtij ekipi pas 28 vitesh. Për herë të fundit, kombëtarja jonë e kishte mundur Islandën në ndeshje zyrtare në vitin 1991, ndërsa kishte fituar dhe një takim miqësor në vitin 2004. /Realstory.al/



Skip to toolbar