Vonesa me pasagjerët, i hiqet licensa kompanisë Fly Ernest

Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil në Itali informoi se ka urdhëruar pezullimin e licensës së operimit për transportin e udhëtarëve dhe mallrave për kompaninë ajrore “Fly Ernest”. Kjo kompani operon edhe në tregun shqiptar, për udhëtimet midis Shqipërisë dhe Italisë.

Pezullimi hyn në fuqi në datën 13 janar 2020, me qëllimin e vetëm që kompania të rregullojë transportin e udhëtarëve që tashmë kanë blerë bileta si dhe të sigurojë udhëtarët për fluturimet e anuluara.

Aviacioni Civil italian nuk jep arsye pse ka pezulluar licencën e “Fly Ernest”, por nisur nga deklarata duket se ajo lidhet me vonesat që kjo kompani ka krijuar me transportin e udhëtarëve.

Ndërkohë, sipas komunikatës së Autoritetit të Aviacionit Civil në vendin fqinj, nëse transportuesi siguron elementet e garancisë të kërkuara nga rregulloret dhe nëse këto elemente vlerësohen në mënyrë të favorshme nga ky autoritet, masa e pezullimit mund të revokohet.

“ENAC do të vazhdojë të monitorojë kompaninë ajrore në mënyrë që të verifikojë miratimin e të gjitha nismave të mundshme për të mbrojtur respektimin e të drejtave të pasagjerëve”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Nga ID, te sendet e ndaluara, policia publikon masat për Shqipëri-Andorra

Të enjten do të luhet ndeshja e parafundit në grup për kualifikueset e Euro 2020 mes Shqipërisë dhe Andorrës. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa deri më tani numri i tifozëve që do të jenë të pranishëm mbetet i ulët. Megjithatë, policia e Elbasanit merr masa për të parandaluar çdo situatë problematike. Sipas një njoftimi zyrtar, mësohet se të enjten do të bllokohen disa rrugë  në qytetin e Elbasanit.

“Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugën “Kamber Sejdini”, nga kryqëzimi i bulevardit “Qemal Stafa” deri tek Kryqëzimi i Tapetave. Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në bulevardin “Aqif Pasha” dhe bulevardin “Qemal Stafa”, pasi krahu i djathtë i stadiumit do të përdoret për parkimin e autobusëve të ndryshëm që vijnë të organizuar me tifozë”.

“Vendparkimet e mjeteve të UEFA-s, të mjeteve të tifozëve miq, si dhe vendparkimet me autorizim do të jenë para sheshit të stadiumit. Bulevardi “Qemal Stafa” dhe unaza e qytetit do të përdoren për qarkullimin e mjeteve. Rrugë-kalimi nga Kryqëzimi i Tapetave, ish-konservimi deri në dalje në unazë dhe në spitalin rajonal Elbasan do të shfrytëzohet për emergjencat që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjithashtu, policia do të mbyllë disa lokale që ndodhen pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ndërsa për sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes do të angazhohen punonjës policie nga Drejtoria e Policisë Elbasan si dhe komisariatetet e tjera. Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë, kartë identiteti dhe të mos kenë me vete: sende të forta, shishe (të çfarëdolloji)  monedha apo metale (të çfarëdolloji) çelësa të ndryshëm.

Rezoluta e Kongresit të SHBA-së: Dënohet terrorizmi i Iranit në Shqipëri

Të mërkurën, më 9 tetor, u zhvillua një konferencë nga anëtarë të të dyja partive, Demokratike dhe Republikane, në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, për të shpallur mbështetjen e 110 ligjvënësve nga të dyja partitë në dënimin e terrorizmit dhe luftënxitjes së regjimit iranian në Lindjen e Mesme. Përfaqësuesit theksuan gjithashtu mbështetjen e tyre për opozitën iranian, Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit, që udhëhiqet nga Maryam Rajavi.

Rezoluta 374 e Kongresit Amerikan për dënimin e terrorizmit shtetëror të regjimit dhe në mbështetje të dëshirës së popullit iranian për të themeluar një shtet demokratik, arriti në 110 përfaqësues nga të dyja partitë.

Kjo rezolutë dënon terrorizmin e regjimit iranian në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, kundër tubimit të opozitës iraniane MEK në Villepinte të Parisit, si dhe komplotin terrorist kundër Muxhahedinëve në Shqiëpri.

Në këtë konferencë, Hakeem Jeffries, Kryetar i Grupit Demokratik në Dhomën e Përfaqësuesve, shprehu mbështetjen e tij për rezistencën iraniane dhe për një Iran të lirë, demokratik e jo-bërthamor.

Rezoluta 374 u bëri gjithashtu thirrje qeverive që t’i ndalojnë veprimtaritë shkatërrimtare të misioneve diplomatike iraniane dhe t’i mbyllin ambasadat e këtij regjimi, përfshirë në Shqipëri, si dhe që ta mbështesin planin me dhjetë pika të Presidentes së zgjedhur iraniane Maryam Rajavi për një Iran të lirë. Përfaqësuesit në rezolutën dypartiake 374 thanë se mbështesin të drejtën e popullit iranian për të themeluar një republikë demokratike, laike dhe jo-bërthamore.

“Protektorat amerikan”, Gjekmarkaj: Yuri Kim, legalizoi krizën në Shqipëri

Analisti Agron Gjekmarkaj deklaroi në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se ambasadorja e re e SHBA dha mesazhe shumë interesante. Sipas tij, ajo legalizoi krizën politike, duke e njohur atë, si dhe foli për krimin dhe narkotrafikun, një problem tjetër serioz për vendin.

“Abasadorja amerikane dha mesazhe shumë interesante, legalizoi krizën politike në Shqipëri që nuk e ngjeh qeveria. Fjala e saj është linjë e DASH dhe tha që në Shqipëri ka krizë. Kjo tregon që do ketë presion mbi palët. Dhe kriza do zgjidhet me zgjedhje të parakohshme. Ajo përmendi krimin dhe narkotrafikut. Ky është një nga faktorët që ne na mbanë jashtë BE. Dhe tjetra ishte reforma në drejtësi. SHBA e sheh si pjellë të vetën dhe nuk do ta lërë jetime”, tha Gjekmarkaj.

Më tej, ai shtoi se autoriteti i SHBA-së në Shqipëri është më i fortë se i Evropës, duke e quajtur njëlloj “protektorati”. Ndërkohë, për Agron Gjekmarkaj është pozitiv fakti që Lulzim Basha ka ndryshuar diskursin e komenteve ndaj reformës në drejtësi.  

“Autoriteti i SHBA në Shqipëri është më i fortë se ai i Europës. Jemi “protektorat” amerikan. Shumica shpreson që reforma në drejtësi do ketë sukses. Sa më shumë ndikim amerikan, i bie që të largohet nga ndikimi i pushtetit politik reforma në drejtësi. Opozita ka pasur një modifikim diskursi ndaj reformës në drejtësi. Unë e shoh pozitiv raportin e Bashës në raport me reformën në drejtësi. Opozita ka një problem madhor, që është raporti me hajdutët e votave. Prokuroria e përgjithshme atë dosje duhet ta hetonte. Unë mendoj se sa më shumë të ketë trysni amerikane, dobësohet trysnia e politikës ndaj reformës”, tha Gjekmarkaj. /Realstory.al/

Një “doktor”, arbitër i Turqi-Shqipëri

UEFA caktoi zyrtarisht gjyqtarët që do të vendosin drejtësi në sfidën e të premtes mes Turqisë dhe Shqipërisë. Një katërshe nga Rumania do të drejtojë këtë sfidë, me kryesor arbitrin që mban stemën e FIFA-s, Ovidu Alin Hategan. Arbitri 39-vjeçar, do të asistohet nga Octavian Șovre dhe Sebastian Gheorghe, ndërsa Sebastian Coltescu do të jetë arbitër i katërt në këtë sfidë. Po kush është arbitri kryesor?

Ovidiu Alin Hategan është i datëlindjes 17 korrik të vitit 1980. Ai është arbitër ndërkombëtar prej vitit 2008, ndërsa profesioni i tij i parë është doktor. Ovidiu Alin Hategan vjen nga një eksperiencë e gjatë si arbitër ndërkombëtar, duke drejtuar ndeshje në të gjitha nivelet. Vetëm disa javë më parë, ai ishte arbitër i takimit të fazës në grupe të UEFA Champions League, mes Barcelonës dhe Dortmund, që u mbyll 0-0.

Ndërsa, po në këtë kompeticion për sezonin aktual, 39-vjeçari rumun, gjykoi ndeshjen midis Rosenborg dhe Dinamo Zagreb në fazën e play-offs. Gjithashtu, ai ka gjykuar edhe takime të rëndësishme në nivele kombëtaresh, si Zvicër-Angli në UEFA Nations League, ndërsa eksperienca pasurohet me takime në UEFA Europa League.

Takimi i së premtes nuk do të jetë i pari, që arbitri rumun do të gjykojë Shqipërinë. Në vitin 2012, arbitri Ovidiu Alin Hategan, ishte kryesori i takimit Zvicër – Shqipëri, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror, që përfundoi me fitoren 1-0 të Zvicrës. Ndërkohë, arbitri rumun numëron rreth 114 ndeshje ndërkombëtare në karrierën e tij. Ai jep mesatarisht rreth 3 kartona të verdhë gjatë një ndeshje, dhe 0.1 të kuq, ndërsa jep 0.11 penallti për ndeshje.

Shqipëria me rekorde ndaj Islandës. Nga goli ‘sefte’ i Hysajt, te rezultati historik

Fitorja ndaj Islandës riktheu shpresën në kombëtaren tonë. Kjo ndeshje në fakt ishte deçizive për shumë arsye; së pari për të besuar ende te kualifikimi në Euro 2020, së dyti për të krijuar besim brenda grupit të lojtarëve dhe së treti për të rikthyer besimin e tifozëve te kjo skuadër. Madje, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një falënderim për tifozët, duke i dedikuar atyre një meritë të veçantë të suksesit të kuqezinjve.

Me anë të një mesazhi publik, FSHF shkruan; “Faleminderit nga zemra! Federata Shqiptare e Futbollit dhe të gjithë lojtarët kuqezi, dëshirojnë të falenderojnë tifozët tanë të mrekullueshëm që nuk e braktisin kurrë ekipin Kombëtar, që nuk kanë hezituar kurrë të bëjnë me mijëra kilometra për fanellën e shenjtë kuqezi dhe kanë qënë pranë skuadrës në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Ky binom, tifozë-lojtarë, na ka treguar edhe më parë se është binomi fitues. Së bashku kemi treguar se kur jemi të bashkuar mund të arrijmë rezultate që për shumë dukeshin utopike, duke bërë bërë të pamundurën të mundur. Ëndrra vazhdon, së bashku mund të shkojmë shumë larg”, përfundon mesazhi i falënderimit.

Megjithatë, ndeshja e së martës, pati dhe disa rekorde. Së pari, për herë të parë në historinë e ndeshjeve zyrtare, kombëtarja jonë shënon 4 gola ndaj një ekipi dhe për më tepër ndaj një rivali që ka pasur suksese të rëndësishme në futboll vitetet e fundit. Së dyti, për herë të parë në karrierën e tij si lojtar profesionist në nivele të larta, Hysaj shënoi gol. Më herët, Hysaj ka shënuar vetëm një gol kur luante me Empolin në Serie B në 17 prill të vitit 2014 në ndeshjen kundër Virtus Lanciano. Prej asaj date, Hysaj nuk ka shënuar më në asnjë ndeshje, jo vetëm në klube, por as në mbi 50 ndeshje të luajtura me ekipin tonë kombëtar. Goli i së martës, i jep mundësi mbrojtësit të rifitojë dhe vendin e titullarit te Napoli.

Një tjetër rekord ishte numri i biletave të shitura. Deri në mëngjesin e të martës ishin shitur shumë pak bileta, rreth 4 mijë. Por, deri në mbrëmje pak para se të niste ndeshja, u shitën gati 10 mijë bileta, duke bërë që shkallët e stadiumit të ishin pothuajse të mbushura. Një tjetër rekord i vendosur ndeshjen e së martës ndaj Islandës, ishte fitorja ndaj këtij ekipi pas 28 vitesh. Për herë të fundit, kombëtarja jonë e kishte mundur Islandën në ndeshje zyrtare në vitin 1991, ndërsa kishte fituar dhe një takim miqësor në vitin 2004. /Realstory.al/

Zjarr i madh në Krujë, rrezikohet linja e tensionit të lartë Shqipëri-Kroaci

Një zjarr i madh ka rënë në zonën pyjore me pisha në Krastë të Krujës. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të madhe pyjore, ndërsa mësohet se vatra e tij ka qenë pranë fabrikës së vjetër të çimentos në. Mësohe se nga flakët e zjarrit rrezikohet linja e tensionit të lartë Shqipëri-Kroaci.

Reparti zjarrfikës në Krujë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për shuarjen e flakëve, të cilat favorizohen nga era dhe temperaturat e larta. Ndërkohë, po ky repart, mësohet se ka raportuar që zjarri mund të jetë i qëllimshëm.

Po gjatë pasdites të së dielës, një tjetër zjarr ka përfshirë një sipërfaqe toke në fshatin Velçan në Librazhd. Flakët kanë djegur një sipërfaqe me bimë drusore. Zjarri ka qenë me përmasa të mëdha, por ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve ka bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Zjarret janë shndërruar në makth për shumë zona në vend, ku gjatë ditëve të fundit ka pasur djegje të sipërfaqeve masive pyjore, por dhe zona me kultura bujqësore. Deëri më tani, zjarri i rënë në kodrat e Shëngjinit, ka qenë më i madhi, për shuarjen e të cilit u deshën dy ditë dhe angazhimi i forcave të armatosura.

Trumpi i “dytë” ndodhet në Malin e Zi: Do ndërtoj mur me Shqipërinë dhe Kosovën

Mali i Zi do të ngrejë një mur në kufi me Shqipërinë dhe Kosovën për të parandaluar bandat e drogës. Kështu ka deklaruar drejtuesi i Lëvizjes Malazeze për Ndryshim, Nebojsha Medojeviç, që ka lënë të shokuar të gjithë shqiptarët që ndodhen në Malin e Zi.

Medojeviç tha se “Fronti Demokratik, kur të vijë në pushtet, do të ishte gati të ngrejë një mur midis Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë për shkak të bandave të drogës”. Kjo deklaratë është bërë shkasë për reagimin ashpër dhe të zemëruar të pakicës shqiptare që jeton në Malin e Zi, e cila u shpreh se kjo deklaratë ‘poshtëron shumicën e atyre partive shqiptare dhe disa shqiptarë që dikur mbështetnin politikat e tij”.

Ndërsa politikanët shqiptarë në Malin e Zi thanë se “ Medojeviç po përpiqet të nxisë urrejtje kombëtare midis qytetarëve malazezë dhe në kohën e kufijve të hapur, të thuash diçka të tillë në të nxehtin e një lufte politike është e papranueshme.”

Pas reagimeve të shumta të shqiptarëve ka ardhur edhe zbutja e tonit nga Medojeviç, i cili shpjegoi se deklarata e tij nuk kishte lidhje me popullin shqiptar apo malazez, por ekskluzivisht kundër mafies malazeze dhe shqiptare.

Ngritja e një muri në kufi na kujton rastin e presidentit te SHBA , Trump, i cili kërkon ngritjen e tij për ndalimin e hyrjes së emigrantëve.

Më 8 shtator hyn në fuqi marrëveshja Itali-Shqipëri për patentat

Duke nisur prej këtij 15 gushti, kanë hyrë në fuqi rregullat e reja për pajisjen me leje drejtimi, e njohur ndryshe patenta. Një ndër këto rregulla është ajo që i mundëson qytetarëve shqiptarë, rezidentë në Itali, dhe atyre që udhëtojnë drejt Italisë me mjetet e tyre, që të mos kenë më nevojë të nxjerrin patentë ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, me anë të një reagimi në rrjetet sociale, shprehet se duke nisur nga 8 shtatori, hyn në fuqi marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, për konvertimin e lejeve të drejtimit.

“Një lajm shumë i mirë për shqiptarët në Itali! Më në fund mbaroi edhe marrëveshja ndryshuese për konvertimin e lejeve të drejtimit që do të hyjë në fuqi më datën 8 shtator 2019  Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin/pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”, shkruan Cakaj.

Më tej, ai shpjegon se marrëveshja prek edhe qytetarët shqiptarë që do të udhëtojnë deri në 3 muaj drejt Italisë me mjetet e tyre. Sipas ministrit Cakaj, pas 8 shtatorit nuk do të nevojitet me leje drejtimi ndërkombëtare për të udhëtuar drejt Italisë. “Gjithashtu, shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit. Shqipëria ka ndërmarrë të njëjtat përpjekje e hapa edhe me shtete të tjera evropiane. Përgjegjësitë e palës shqiptare janë kryer të gjitha me përpikëmëri! Për arsye e procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë përfunduar ende. Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombasve tanë nëpër botë”, përfundon Gent Cakaj.

Revista italiane: Investoni, hapni një kompani ose blini një shtëpi në Shqipëri

Revista italiane “Voglio vivere Cosi” i ka kushtuar një artikull të gjatë vendit tonë, ku tregon mundësitë e mëdha që të jep Shqipëria për të jetuar, punuar apo investuar. “Investoni, hapni një kompani, apo blini një shtëpi”, shkruan në titull revista italiane. Më pas, ajo vijon në artikull duke treguar se “20 vjet më parë konsiderohej një nga vendet më të vështirë, sot, Shqipëria ka arritur të rilindë, duke ndryshuar “lëkurën” e saj dhe duke ofruar shumë përparësi në kënvështrimin ekonomik”.

“Rreth 20 mijë italianë jetojnë dhe punojnë në Tiranë, kryeqytetin e vendit. Bëhet fjalë për një nga vendet më të shtrenjta në botë”, shkruan më tej Voglio vivere Cosi”. Duke u futur më tej në analizën e shkrimit ekonomik, që revista italiane i bën vendit tonë, ajo vlerëson lehtësin e të bërit biznes këtu, duke theksuar faktin që të hapësh një kompani mjafton vetëm një ditë kohë, ndryshe nga Italia, ku ka procedura burokratike të mëdha.

“Në Shqipëri është e mundur të hapet një aktivitet brenda një dite. Një mrekulli në krahasim me kohën dhe kostot italiane. Është një vend që po hapet, ku kërkesa për personel të kualifikuar është ende e lartë, kështu që është e përsosur për ata që duan të investojnë jashtë vendit dhe të bëhen sipërmarrës”.

Një tjetër aspekt, është ai i kostos së jetës. Revista shkruan se në Shqipëri mund të përballosh jetesën me 630 dollarë në muaj. “Pavarësisht se ka një fuqi blerëse të ulët, Shqipëria ofron çmime të ulëta për ushqimin, qiratë dhe produktet. Në Tiranë për këto shërbime ju duhet të shpenzoni vetëm 630 dollarë në muaj”, shkruan Voglio vivere Cosi, duke u sugjeruar italianëve që “të gjitha këto arsye shpjegojnë pse sot është koha e duhur për të investuar në Shqipëri. Disa italianë kanë filluar biznese në qytetet kryesore si Tiranë, Durrës, Sarandë dhe Vlorë, që përfaqësojnë edhe qytetet kryesore në vend”.

Artikulli i plotë i “Voglio vivere Cosi”.

Investoni, hapni një kompani ose blini një shtëpi në Shqipëri

Enza Petruzziello

Një vend që konsiderohej si një nga më të vështirët deri 20 vite më parë, Shqipëria ka arritur të rilindë, duke ndryshuar ”lëkurën” e saj dhe duke ofruar shumë përparësi në këndvështrimin ekonomik. Aktualisht, ka rreth 20 000 italianë që jetojnë dhe punojnë në Tiranë, në kryeqytetin e vendit. Bëhet fjalë për një nga vendet më pak të shtrenjta në botë dhe një destinacion që pëlqehet nga shumë njerëz.

Të rinjtë, sipërmarrësit dhe pensionistët italianë zgjedhin këtë vend si një vendbanim të ri, në kërkim të mundësive të reja, për të shijuar vitet e pensionit ose edhe për të investuar. A ia vlen vërtet të investosh në Shqipëri? Cilat janë arsyet e këtij interesi në rritje për investime në vend? Së pari, afërsia me Italinë, pastaj ekonominë e saj: standardi i jetesës këtu është rritur, pagat janë trefishuar dhe gjetja e punës nuk është më një mision i pamundur. Dhe përsëri: kosto të ulëta të punës, taksim të favorshëm, afërsi me Italinë, gjuhën që e flasin në masë shumë shqiptarë si edhe shpenzimet e transportit me vendin tonë, Italinë.

Pa harruar burokracinë joefikase të vendit tonë, Italisë. Në Shqipëri është e mundur të hapet një aktivitet brenda një dite. Një mrekulli në krahasim me kohën dhe kostot italiane. Është një vend që po hapet, ku kërkesa për personel të kualifikuar është ende e lartë, kështu që është e përsosur për ata që duan të investojnë jashtë vendit dhe të bëhen sipërmarrës.

Dhe pastaj ka leverdi edhe për koston e jetesës, vërtet shumë të përshtatshme sidomos për pensionistët italianë që jetojnë në Shqipëri, ku me ndihmën e pensionit, mund të bëjnë një jetë të rehatshme. Pavarësisht se ka një fuqi blerëse të ulët, Shqipëria ofron çmime të ulëta për ushqimin, qiratë dhe produktet. Në Tiranë për këto shërbime ju duhet të shpenzoni vetëm 630 dollarë në muaj.

Të gjitha këto arsye shpjegojnë pse sot është koha e duhur për të investuar në Shqipëri. Disa italianë kanë filluar biznese në qytetet kryesore si Tiranë, Durrës, Sarandë dhe Vlorë, që përfaqësojnë edhe qytetet kryesore në vend. Nga ana tjetër, si në të gjitha vendet në zhvillim, sigurisht që ekzistojnë edhe rreziqet. Problemet më të mëdha paraqiten nga një korrupsion i lartë, jo gjithmonë hartat e azhurnuara të regjistrit të tokës dhe modeleve të ndryshme të zhvillimit midis zonave të ndryshme territoriale. Sidoqoftë, këto janë rreziqe që mund të përballen dhe tejkalohen, siç dëshmojnë shumë kompani italiane të pranishme në vend.

Sa kompani italiane ka në vend?

Sipas të dhënave të Infomercati, në 2018 Italia zinte 34,1% të tregtisë totale tregtare të Shqipërisë, e cila në vitin 2017 arriti në rreth 2,6 miliardë euro. Italia është qartësisht klientja kryesore, me 48,2% të vëllimit të eksporteve, gjithashtu furnizuesja e parë në Shqipëri me 27,3% të importeve.

Sipas të dhënave të vitit 2018, pas Italisë, partneri i parë tregtar, vijnë më pas Greqia (6,9%), Gjermania (6,6%) dhe Kina (6,3%). Prania jonë sigurohet nga rreth 1 000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, nga grupi i madh bankar ”Intesa San Paolo” dhe nga disa grupe industriale të mesme të mëdha të krijuara kryesisht në sektorët e çimentos, agroushqimit dhe energjisë.

Në numrin e përgjithshëm të kompanive me kapital të huaj dhe të përzier sipas vendit të origjinës, Italia thithi pjesën më të madhe të punësimit (49,6%) ndërkohë që qarkullimi i vlerave është (25,2%) për sipërmarrjet italiane. Por, investimet nuk janë vetëm italiane. Shumë investime të huaja dhe europiane vitet e fundit kanë sjellë të ardhura në arkat e vendit duke lejuar rilindjen e ngadaltë të tij.

Le të mendojmë, për shembull, për investimet kineze. Në fakt, janë 90 kompani të reja kineze që mbërritën në Shqipëri në dy vitet e fundit, veçanërisht të joshur nga mundësitë për bashkëpunim në industrinë e energjisë, infrastrukturës dhe minierave. Aktualisht ka 150 ndërmarrje kineze aktive në vend.

Ku të investoni në Shqipëri: sektorët ekonomikë më fitimprurës

Industritë më të mëdha në Shqipëri janë përqendruar në këto fusha:

  • Sektori i ushqimit
  • Produktet e duhanit
  • Tekstile dhe veshje
  • Burimet e energjisë
  • Bujqësi
  • Turizëm
  • Import/Eksport
  • Investime në pasuri të paluajtshme
  • Menaxhimi i mbeturinave

Siç thekson Infomercati, faqja e internetit e Ministrisë së Jashtme italiane, ekonomia shqiptare ofron perspektiva të mira investimesh, veçanërisht në sektorin e energjisë. Deri në vitin 2020, Shqipëria synon të përmbushë 38% të konsumit të brendshëm me burime të rinovueshme. Ligji për “Promovimin e përdorimit të energjisë së rinovueshme” Nr. 7/2017 parashikon zbatimin e një plani stimulues për të investuar në krijimin e burimeve të reja të erës dhe energjisë diellore.

Investimi në bujqësi gjithashtu mund të jetë i dobishëm. Në fakt, ekzistojnë mundësi të mira integrimi për furnizuesit italianë të makinerive dhe bimëve që lidhen me sektorin e agroushqimit dhe në veçanti bimët e teknologjisë së lartë për përpunim.

Për kompanitë që duan të investojnë në Shqipëri, ka edhe mundësi të mira në sektorin e turizmit: ka një potencial të madh të këtij sektori sidomos përgjatë brigjeve, të cilat janë shumë të njohura me turistë nga e gjithë bota. Mbi të gjitha, hapja e një restoranti jashtë vendit, apo një bar, është ëndrra e shumë italianëve.

Mundësi të shkëlqyera gjenden në sektorin e prodhimit (këpucëve dhe tekstile), në kushte konkurruese të tregut shqiptar të punës, taksimit të favorshëm dhe elementeve tradicionale të avantazhit për operatorët tanë ekonomikë.

Për ata që kërkojnë investime të sigurta në Shqipëri, sektori i pasurive të patundshme është një tjetër sektor i rëndësishëm. Pritet që në një të ardhme të afërt vlera e tokës të rritet: nëse blini tokë sot, në pak vite mund ta shisni me një çmim shumë më të lartë.

Sa i përket kostove, shumë gjëra varet nga lloji i investimit që dëshironi të bëni. Shumë preferojnë të kërkojnë një partner për një aktivitet jashtë vendit, në mënyrë që të jenë në gjendje të investojnë një shumë më të konsiderueshme dhe të ndajnë shpenzimet dhe fitimet. Sidoqoftë, nëse doni të investoni në Shqipëri, një sasi e vogël kapitali është zakonisht e mjaftueshme, nga 30 mijë euro e sipër.

Hapni një kompani në Shqipëri

Siç thamë në fillim të këtij artikulli, ka shumë kompani italiane në Shqipëri. Hapja e një aktiviteti këtu, qoftë një bar, një dyqan apo një kompani, është e shpejtë dhe e lehtë.

Sipërmarrësit që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri mund të zgjedhin midis tyre një kompani me përgjegjësi të kufizuar (SHPK); një kompani publike (SA), e cila megjithatë kërkon një kapital minimal prej të paktën 27 000 euro; kompani me kapital të përbashkët shoqëror (SHA).

Kompanitë me përgjegjësi të kufizuar (SHPK), të cilat mund të themelohen si kompani edhe nga një anëtar i vetëm, pra i njëjti person fizik ose juridik si aksioner dhe drejtori i tij, janë më tërheqëse dhe miqësore për investitorët e huaj. Procedura e themelimit kërkon hartimin dhe nënshkrimin e disa dokumenteve dhe mund të përfundojë brenda 10/15 ditëve, përfshirë hapjen e llogarisë bankare.

Dokumente të nevojshme për të hapur një aktivitet

Të gjitha kompanitë ose kushdo që ka një aktivitet në Shqipëri, duhet të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Qendra Kombëtare e Regjistrimit është organi publik përgjegjës për regjistrimin dhe mbajtjen e informacionit të regjistrimit për të gjitha bizneset dhe aktivitetet në vend.

Një kompani konsiderohet e regjistruar zyrtarisht që nga momenti i regjistrimit të suksesshëm.

Kërkesat për regjistrim janë:

Keni një minimum prej një anëtar dhe një administratori. Një kompani mund të ketë një partner i cili mund të jetë person fizik ose person juridik.

Vendosmëria në Shqipëri. Çdo kompani duhet të ketë një zyrë të regjistruar në vend, të cilit mund t’i dërgohet korrespondenca.

Por, sa kushton për të hapur një kompani në Shqipëri? Një aspekt i rëndësishëm, për sa i përket marrëdhënies me burokracinë dhe aspektin ekonomik, është ai i tatimit, i cili është mjaft përshtatshëm. Për një kompani, tatimi mbi fitimet është 15%, jashtëzakonisht i ulët në krahasim me atë italian, dhe madje arrin 7,5% nëse aktiviteti është më pak se 50 000 euro.

Në tregti, TVSH-ja është 20%, pak më e ulët se ajo italiane. Aktivitetet që faturojnë më pak se vlerën e 36 000 euro përjashtohen nga TVSH-ja.

Detektoni një aktivitet biznesi

Një mënyrë tjetër për të investuar në Shqipëri është të blini ose të merrni përsipër aktivitetet tregtare të filluara tashmë, mbase në njërën nga plazhet e bukura në bregdetin shqiptar.

Në internet ka shumë njoftime për aktivitete për shitje ose për shitje. Këtu janë disa nga ato më interesante. Nëse, nga ana tjetër, jeni të interesuar për të ashtuquajturin bar plazhi, kjo faqe publikon disa oferta aktivitetesh për shitje në Sarandë, një nga vendpushimet më të preferuara në bregdetin jugor.

A është e mundur të hapni një kompani në Shqipëri dhe të punoni në Itali? Po, por nuk rekomandohet. Me një numër të huaj të TVSH-së është e mundur të operoni në Itali, por nga ju kërkohet të paguani taksat në Itali dhe jashtë saj.

Blerja e një shtëpie në Shqipëri

Ndër sektorët më të sigurt për të investuar është pasuria e paluajtshme. Për shumë njerëz, blerja e një shtëpie jashtë vendit mbetet ende një nga format më fitimprurëse të investimeve.

Për të blerë një shtëpi – veçanërisht në det – janë pensionistë dhe sipërmarrës. Agjencitë kryesore të pasurive të patundshme kanë regjistruar një rritje të fortë në investimet e pasurive të patundshme në Shqipëri të bëra nga shtetas të huaj në pension.

Një kategori tjetër e blerësve është ajo që sheh si një investim të mundshëm blerjen e pronave në bregdet, për të përfituar nga rritja e çmimeve gjatë sezonit të verës. Për këtë arsye, turizmi i investimeve të pasurive të patundshme nuk përfshin vetëm destinacionet më të kërkuara siç janë Saranda ose Himara, por edhe qytete të tilla si Durrësi apo Dhërmiu.

Edhe Tirana, natyrisht. Qyteti, në rritje të vazhdueshme, me shumë turistë dhe një numër në rritje studentësh dhe punëtorësh, është vendi i përsosur në tokën e shqiptarëve për të blerë banesa, veçanërisht në qendër ose në lagjet kryesore.

Sa kushton për të blerë një shtëpi?

Çmimet për të blerë një shtëpi në Shqipëri janë shumë konkurruese, me rreth 30-40 mijë euro. Për të na dhënë një pamje më të detajuar mbi çmimet e shtëpive dhe apartamenteve në shitje është Forex Trading Italia, e cila analizon kostot e jetesës në Shqipëri, përfshirë ato për blerjen ose marrjen me qira të një shtëpie.

Kostoja mesatare e marrjes me qira të një shtëpie në Shqipëri është 277,04 euro (33 866 lekë), 434 euro më e ulët se ajo italiane. Përkundrazi, kostoja mesatare për të blerë një shtëpi është 879,95 euro (107 442 lekë) për metër katror, ​​1,712 euro për metër katror më e ulët se ajo italiane.

Në detaje: një metër katror në Tiranë varion nga 400 euro në periferi në 2 500-3 000 euro në qendër. Në Sarandë, Durrës dhe përgjatë bregdetit, çmimet variojnë nga 450 euro për metër katror në 650-750 euro në komplekset e banuara.

Sa për shtëpitë luksoze, vilat për shitje në pozicione të privilegjuara kanë një sërë çmimesh që variojnë nga 130 000 deri në 400 000 euro. Një pronë 1 200 metra katrore në Vlorë, ​​për shembull, është rreth 250 000 euro.

Pastaj është kapitulli i taksave. Taksa për transferimin e pronësisë është në të vërtetë e barabartë me 3% të çmimit të blerjes së pasurisë. Një shpenzim tjetër i nevojshëm është pagesa që duhet t’i paguhet noterit në kohën e veprës. Për investimet e pasurive të paluajtshme në det ose në Tiranë, tarifat juridike arrijnë mesatarisht në jo më shumë se 2 000 euro.

Skip to toolbar