Katër klandestinë shqiptarë janë kapur nga policia britanike, të cilët janë gjetur brenda kutive të kartonit në një furgon, pasi kishin paguar nga 700 euro secili për të hyrë në Britaninë e Madhe.
Sipas Daily Mail, katër emigrantët shqiptarë ishin “paketuar” në kutitë e mëdha, që sipas dokumenteve do të dorëzoheshin në Dover.
Policia kufitare ndaloi furgonin, i cili po udhëtonte nga Frankfurti në Derby, në Calais para se të kalonte Kanalin në Britani të Madhe. Nga marrja në pyetje e emigrantëve rezultoi se kishin paguar më shumë se 600 paund (700 euro) secili te një bandë e trafikimit të njerëzve, një prej të cilëve është burgosur tashmë. Vladimir Tollumi, 39 vjeç, ishte një nga katër njerëz që trafikonin emigrantë të paligjshëm në Britani. Tollumi ishte ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar, pasi i ishte dhënë lejeqëndrim që në vitin 2004. Por tani ai do të përballet me dëbimin, pasi vetëm një javë më parë i është dhënë një dënim prej 40 muajsh burg. Prokurori Sarah Slater tha për Derby Crown Court se operacioni për kapjen e klandestinëve kishte nisur që më 22 maj 2017.
Lidhur me katër klandestinët e fundit ajo shpjegoi se rreth orës 5 në anën franceze të kufirit, një kamion që udhëtoi nga Frankfurti u ndalua nga zyrtarët e kontrollit kufitar. “Shoferi u pyet për të hapur pjesën e pasme të saj dhe brenda ishin gjashtë kuti të vulosura me kasetë blu. Ato u hapën dhe brenda katër prej tyre ishin katër shqiptarë, të cilët po trafikoheshin për në Mbretërinë e bashkuar”, deklaroi prokurorja.
Sipas të dhënave, Tollumi u identifikua i pari si një prej katër autorëve që merren me trafikimin e njerëzve. Ai ishte kapur në një taksi në Dover në maj të këtij viti. Tollumi u deklarua fajtor për një akuzë të komplotit për të ndihmuar imigrimin e paligjshëm të një shtetasi jo të BE në një shtet anëtar. “Tollumi mund të mos ketë qenë duke drejtuar makinën në të cilën forcat kufitare gjetën emigrantët e paligjshëm, por ai ishte pjesë integrale e grupit kriminal. Hetimet e CFI-së zbuluan se para këtij rasti, Tollumi kishte bërë përpjekje të qëllimshme për të mbuluar gjurmët e tij, duke regjistruar celularët dhe dokumentet ligjore në adresa të rreme. Megjithatë, qindra thirrje telefonike të bëra prej tij, së bashku me prova të tjera të zbuluara nga CFI, e lidhën atë drejtpërdrejt me veprën penale”, deklaroi prokurorja Slater.