Shtyhet “Gërdeci”, kush janë dy dëshmitarët, që refuzuan të flasin para gjykatës

AKTUALITET


Dëshmitarët Jorgo Mino, ushtarak dhe Ndue Marku jurist, të thirrur si për Gërdecin nuk pranuan të dëshmojnë.

Ata ushtruan të drejtën e tyre për të mos dëshmuar, si të bashkëpandehur. Mino dhe Marku kanë qenë të pandehur në procesin e parë të dosjes “Gërdeci”. Ndërkohë, seanca e radhës u la më 10 janar, në orën 9:00.

Kujtojmë se, sot u thirrën për të dëshmuar në lidhje me këtë dosje edhe ish-ministri Fatmir Mediu dhe Shkëlzen Berisha. Vetë Mediu ka folur pas seancës së të mërkurës në gjykatë ku theksoi se Shkëlzen Berisha nuk ka asnjë lidhje me të në këtë proces të rihapur. Ai u shpreh se kjo është një lojë tërësisht mediatike.

Ndërkohë, pas daljes nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar, ku u zhvillua seanca për çështjen Gërdeci, Shkëlzen Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për përmendjen e emrit të tij për 15 vite me radhë, si i përfshirë në këtë tragjedi.

Djali i ish-kryeministrit të asaj kohe, insistoi se çështja është politizuar, dhe kjo gjë nuk ka ndihmuar në zbardhjen e saj. Më tej, djali i ish-kryeministrit me një përgjigje gjithëpërfshirëse shpjegoi dhe lidhjet e tij me ish-ministrat Mediu, Bumçi dhe biznesmenin Delijorgji dhe marrëdhëniet me ta.

Shkëlzen Berisha insiston se është mik me ish-ministrat në fjalë dhe telefonatat që ka pasur me Mediun pas shpërthimit në Gërdec kanë qenë për çështje personale, ndërkohë që Delijorgjin shpjegon se e ka njohur si biznesmen.



Skip to toolbar