Shtyhet seanca më 19 shtator, Tahiri: Provat e pafajësisë i ka vet prokuroria

AKTUALITET


Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur shtyrjen e seancës për dhënien e vendimit për akuzat e ngritura ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Seanca është shtyrë më datë 19 shtator në orën 09:00 për të vendosur përfundimisht në lidhje me akuzat e ngritura ndaj ish ministrit Tahiri.

Më herët, gjatë seancës prokuroria ka kërkuar 12 vite burg për Saimir Tahirin, ndërsa gjykata kishte pranuar gjykimin e shkurtuar për çfarëdo mase që do të jepet ndaj ish ministrit. Ai akuzohet për veprën penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Pas shtyrjes së seancës, Saimir Tahiri bëri një deklaratë të gjatë para gazetarëve, ku u shfaq mjaft i ngarkuar emocionalisht, por i gatshëm t’i përgjigjej të gjitha pyetjeve. Gjatë fjalës së tij, Tahiri tha se nuk ka nevojë për prova të reja, pasi do të përdorte në mbrojtje të tij, vetëm provat e prokurorisë, ndërsa theksoi se kjo betejë me drejtësinë është një nga betejat më të rëndësishme të jetës së tij.

‘Unë nuk kam marrë asnjë provë të re, kam analizuar vetëm provat e prokurorisë. Jaeld Çela nuk ka qenë as drejtor a polic në Vlorë kur ata na akuzojnë që kemi bashkëpunuar në trafik droge Kjo hyn tek betejat më të rëndësishme të jetës sime, dhe këtë betejë e kam përballur si qytetar, se ika si deputet. Unë dhashë dorëheqjen nga të gjitha, për tu përballur si qytetar vetëm me lëkurën time. Mua më intereson drejtësia dhe drejtësia bashkë me lirinë, jo i ndrydhur brenda korridoreve të pushtetit.’ u shpreh Tahiri, i cili tha se beson tek drejtësia dhe se provat që prokuroria nxjerr kundër tij, në fakt nëse lexohen siç duhen janë provat edhe të pafajësisë së tij.

“E vërteta ime është e provuar me letra dhe fakte aq kokëfortë sa askush nuk i del dot përballë. Këta policë e kanë denoncuar Mojsi Habilajn në polici, këta policët e kanë nisur procedimin për të cilin akuzohem dhe unë. Këta janë pjesë e grupit? Ne anëtarët e grupit kemi denoncuar njëri-tjetrin? Është aq i gënjeshtërt ky proces sa nuk i jap dot shpjegim. Nuk i shkoj fare historisë nëse do dënohem çfarë do bëj, këto janë hipoteza që nuk dua t’i konsideroj se besoj shumë tek e vërteta ime dhe ajo që shtjellova në gjykatë. Besoj tek drejtësia siç bëri drejtësia italiane.” shprehet ndër të tjera Tahiri

Në lidhje me akuzat për shpenzime elektorale, Tahiri tha se këto nuk janë aspak të verat dhe tha me ironi se në këtë rast i bie që të hetohet edhe Rama. Ish ministri deklaroi se prokuroria ka hetuar të gjitha pasuritë e tij, ndërsa në lidhje me grupin  me të cilët akuzohet për trafik drogë, tha se kjo ishte absurde pasi i bie të kryente trafik në një kohë që ishte duke luftuar Lazaratin.

“Shpenzimet për fushatë, 5 milionë euro në një muaj: Të hetohet edhe Rama?! nëse prokuroria ka një përgjim ku ministri i brendshëm harxhon 20 milionë euro në fushatë, unë kisha vetëm një muaj në detyrë dhe dy trafikantë bisedonin ai merr 5 milionë euro në muaj, nëse prokuroria e merr seriozisht këtë përgjim banal, nuk duhej të kursente njeri pa hetuar. Ç’është kjo parti dhe këta njerëz që harxhoka 20 milionë euro në fushatë? Por edhe prokuroria e di që ai përgjim është banal dhe ordiner. Prokuroria ka pasur dy vjet kohë ta hetonte. Ka hetuar çdo pasuri timen, në Shqipëri, nëpër botë, pasurinë e prindërve të mi, të rrethit tim shoqëror, mbi 30 persona. Unë kam zero kontakte dhe takime me personat e akuzuar. Si dreqin e kam bërë unë këtë? Ata më akuzonin për trafik droge në një kohë që ne luftonim Lazaratin. Si mund t’i bëja të dyja? Mos harroni kurrë ministrin që isha dhe luftën që kam bërë kundër drogës. Ndërkohë që luftoja Lazaratin t’i shkelja sytë disa trafikantëve? Është gënjeshtër e madhe që mu desh kohë ta çmontoja, shpresoj të shkojë mirë deri në fund.”- ka thënë Tahiri

Tahiri tha e në lidhje me shpenzimet e tij është hetuar edhe nga drejtësia italiane, e cila faktoi se nuk zotëroja asgjë jashtë Shqipërisë.

“S’kam asnjë kod, unë jam shumë i drejtpërdrejt, përtoj të gënjej, e kam kollaj të them çfarë mendoj drejtpërdrejt. E përmenda atë që unë kam shpenzuar 140 euro ndërsa të tjerë 900 euro nata në hotel, siç përmenda edhe veten se më kanë akuzuar që kam përdorur hotel 1 mijë euro nata. Unë  faktoj me letër porosi nga të gjitha vendet e BE që thonë që unë nuk kam asnjë pasuri, asnjë tokë asnjë shtëpi as një makinë në ato vende, dhe nuk kam pasur shpenzime marramendëse. Siç jua ka hedhur prokuroria që thotë se ka fjetur me 1 mijë euro, prova më e mirë është ajo që dhashë në gjykatë, ku autoritetet italiane kanë pyetur çdo hotel dhe çdo restorant ku kam ndenjur kur isha ministër, dhe maksimumi ishte 140 euro.”

Akuzat për fikjen e radarëve në Sazan, Tahiri tha se kjo nuk mund të ndodh pasi nuk ka një punëtor apo operator që mund të bëjë këtë gjë. “Fikja e radarëve në qendrën e Sazanit: Në dijeni time radarët teknikisht nuk mund të fiken, nuk ka një operator të zakonshëm që t’i fikë. Prokuroria kishte dy vjet kohë të vërtetonte në kuadër të cilësdo organizatë kriminale këta radarë të fiken. Unë e them, jo dhe jo. Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk mund të ndodhen. Sepse radarët nuk i janë lënë në dorë me një çelës një punëtori. Prokuroria e hamendëson këtë sikur kjo është pjesë e veprimtarisë kriminale.”

Nëse do të vendoset për dënimin e Saimir Tahirit sipas kërkesës së Prokurorisë, ish-ministri do të përfitojë ulje të dënimit nga 12 në 8 vjet, kjo pasi gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar. Veç ish-ministrit, prokuroria ka kërkuar 12 vite burg dhe për Jaeld Çelën, ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, i cili është ende në arrati.   



Skip to toolbar