Shtyhet sërish masa e arrestit për Sali Berishën

AKTUALITET


Shtyhet sërish masa për Sali Berishën. Shpallja e vendimit të GJKKO për ish kryeministrin u vendos të jepet ditën e shtunë, datë 30 dhjetor, ora 12:00.

Gjyqtarja Irena Gjoka, argumentoi se shtyrja e shpalljes së vendimit bëhet për t’i dhënë kohë avokatëve që kërkuan sot të njihen me regjistrimet audio dhe të procesverbaleve e seancave të fundit të zhvilluara në GJKKO. Mbrojtësit ligjorë të ish kryeministrit Berisha, prentendojnë se gjyqtarja Gjoka ka qenë e njëanshme ndaj kërkesave të tyre, ndaj kërkuar marrjen në dispozicion të materialeve audio dhe procesverbaleve të seancës.

“Seanca shtyhet për ditën e shtunë në 30 dhjetor, për t’i dhënë mundësi avokatëve mbrojtës të depozitojnë kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues” njoftoi GJKKO.

Në një prononcim të shkurtër për mediat në përfundim të seancës, avokati mbrojtës i Berishës argumentoi kërkesën për marrjen e provave nga GJKKO

“Kemi marrë brenda afatit ligjor provat që do të shoqërojnë kërkesën, provat që ne mendojmë se mbështesin kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Janë ato prova të cilat provojnë  njëanshmërinë e gjyqtares.”, tha avokati Gokutaj.

Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës ashpërsimin e masës së sigurisë duke argumentuar se Sali Berisha nuk ka respektuar vendimin e gjykatës që e detyronte atë të paraqitej në prokurori të hënën e parë dhe të tretë të muajit. SPAK kërkoi masën e arrestit shtëpiak për Sali Berishën me mbikëqyrje policore.

Ish-kryeminstri Berisha është person nën hetim në çështjen mbi procedurat e privatizimit të ish kompleksit Sportiv Partizani, i cili dyshohet nga SPAK për korrupsion pasiv, duke favorizuar dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, ku më pas u ndërtuan një grup pallatesh./abcnews.al



Skip to toolbar