Shtyhet vettingu për Kryetaren e Gjykatës së Tiranës dhe kryeprokurorin e Krujës, probleme me pasurinë

AKTUALITET


Kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro dhe drejtuesi i prokurorisë së Krujës, Petrit Çano, janë dy subjeket që aktualisht po vlerësohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa të premten ishte lajmëruar të jepej vendimi për ta. Por, sipas njoftimit të KPK, vendimi është shtyrë për një datë të dytë.

Kryetarja e Gjykatës së Tiranës doli para Vettingut të mërkurën, ku KPK deklaroi gjatë seancës dëgjimore se Harjo kishte mungesë të burimeve financiare për katër vite; ndërkohë që shtoi se subjekti kishte deklaruar vlerë të ndryshme nga ajo reale për një apartament të blerë në Tiranë, duke u dakordësuar me shitësin, pasi banka nuk i jepte kredi më të lartë se 70% i vlerës së objektit.

Ndërsa prokurori Çano u përball kryesisht me dyshimet për pamjaftueshmëri financiare për dy vite si dhe me denoncimin e një qytetari, i cili pretendonte se vajza e tij kishte dëmtuar aksidentalisht një mjet, fakt ky i pavërtetuar nga hetimi i prokurorisë. Sqarime u kërkuan gjithashtu edhe për blerjen e një apartamenti me vlerë 7.5 milionë lekë, e shlyer me disa këste nga subjekti. Ai theksoi se për pamjaftueshmëritë financiare të viteve 2006 dhe 2007 nuk ishin marrë parasysh të ardhurat e bashkëshortes, edhe pse ajo ka deklaruar tatimin e fitimit. Çano e cilësoi si papërgjegjshmëri të institucioneve tatimore mungesën e dhënies së përgjigjeve të sakta. Ndërsa për denoncimin e bërë nga një qytetar për vajzën e tij, Çano tha se nuk kishte pasur njohje me këtë person. Ai shtoi se ai i kishte shkruar në Facebook, duke pretenduar se vajza e tij i kishte dëmtuar makinën. “Këto të dhëna nuk lidhen me vajzën time dhe në atë periudhë vajza nuk ka pasur makinë dhe nuk jetonte në të njëjtin pallat,” tha ai.

Për këto dy subjekte, KPK kishte vendosur që vendimi të jepet ditën e premte, por sot ka njoftuar se vendimi për secilin do të shtyhet. KPK deklaron se për gjyqtaren Hajro vendimi do të jepem me datë 10 qershor, ndërkohë që për prokurorin Çano, ende nuk ka një datë vendimi.



Skip to toolbar