Gjatë mëngjesit të së mërkurës ndërroi jetë në spital i riu Saimir Greku i cili pavarësisht se u nxorr i gjallë nga rrënojat nuk ia doli të mbijetonte. Ndërsa nëna dhe babai i tij, Çelike dhe Pëllumb Greku u nxorrën të vdekur nga rrënojat.
Banori i zonës, Fatmir Muçi deklaroi në News 24 se djali i tezes së tij ishte me gruan dhe dy djemtë në banesë kur ra tërmeti.
“Jam Fatmir Muçi, kam jetuar në këtë fshat për shumë vite. Nën rrënoja kam Pëllumb Grekun, djali i teze. Djali i tij, Saimir Greku vdiq në spital sot. Ne e shpëtuam gjallë e çuam në spital, por aty gjeti vdekjen.
Ata ishin 4 pjesëtarë brenda në banesë. Nën rrënoja ndodhet Pëllumbi, bashkë me gruan e tij. Të tjerët dolën. Njëri që doli i gjallë, dhe djali tjetër që vdiq në spital”, tha Fatmiri, vetëm pak minuta para se të dilnin dy trupat e pajetë të Pëllumbit dhe Çelikes.
Ai tregon se pallati i shembur në Thumanë kishte 15 apartamente ku jetonin gjithsej 10 familje pasi të tjerët kishin ikur.
Ai thotë se vijon të jetë i zhdukur Bujar Çuka së bashku me gruan dhe fëmijët e tij që jetonin në pallatin e shembur.