Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare Ylli Ziçishti, mjeku kirurg dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, i cili për dekada kontribuoi në sistemin shëndetësor shqiptar, ndërsa më vonë u angazhua edhe në politikë.
I lindur më 15 shkurt 1950 në Tiranë, me origjinë nga fshati Ziçisht i Devollit, ai ndërtoi një karrierë të gjatë në fushën e mjekësisë. Një prej detyrave më të rëndësishme ishte drejtimi i Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku shërbeu për 16 vite. Pas studimeve në Tiranë, ai kishte kryer edhe specializim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por jeta e Ylli Ziçishtit u shënua edhe nga përndjekja gjatë regjimit komunist. Ai ishte djali i Mihallaq Ziçishtit dhe nipi i Llambi Ziçishtit, ish-ministër i Shëndetësisë, i cili u arrestua dhe u ekzekutua në vitin 1983.
Në fillim të viteve ’80, Ylli Ziçishti u internua fillimisht në Koman dhe më pas në Dukagjin. Në vitin 1983 u dërgua në Tepelenë, ku vijoi të ushtronte profesionin e kirurgut. Për një periudhë, ai u detyrua të qëndronte larg bashkëshortes dhe djalit të tij të vogël, për shkak të presionit dhe pasojave të persekutimit ndaj familjes.
Pavarësisht vështirësive, Ziçishti vijoi karrierën në mjekësi dhe u afirmua si një prej emrave të njohur të kirurgjisë në vend.
Pas një jete të gjatë në shërbim të shëndetësisë, ai vendosi të angazhohej edhe në politikë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 kandidoi për Partinë Socialiste dhe fitoi mandatin e deputetit në Kuvend, duke përfaqësuar qarkun e Korçës, veçanërisht zonën e Devollit.
Ylli Ziçishti ishte deputet i Partisë Socialiste gjatë legjislaturës 2013–2017. Me ndarjen e tij nga jeta, mbyllet rrugëtimi i një figure që la gjurmë në mjekësi dhe pati një angazhim edhe në jetën politike të vendit.


