Zbulimi i skemës së mashtrimit me kreditë, ku u vodhën 3.7 milionë euro, i përkasin një filiali të ‘Fondit Besa” ku disa persona, me në krye drejtoreshën e filialit, kanë përfituar shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm që merrni kredi fiktive.
Denoncimi për vjedhjen e parave dhe dëmtimin e biznesit është bërë nga vetë drejtuesit e “Fondit Besa” dhe pas një hetimi një-javor nga Antikrimi Ekonomik është bërë e mundur zbulimi i skemës së mashtrimit.
“Truri” i të gjithë kësaj skeme mashtrimi ishte shtetasja Albana Imami, drejtoresha e degës së filialit të “Fondit Besa”. Sipas hetimeve rezulton se vetë Imiami ka përfituar shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, që kapin vlerën deri në 1,7 milionë euro. Imami miratonte lëshimin e kredive fiktive për klientë që nuk paraqiteshin fare pranë zyrave të fondacionit në momentin e aplikimit, por vetëm në momentin e tërheqjes së saj. Nga tërheqja ato merrnin vetëm 25-35 % të shumës, ndërsa pjesa tjetër përfitohej nga drejtoresha Albana Imami dhe oficerët e kredisë e sekserët.
Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën e 2 milionë eurove, por vijon ende të rritet me zbulimin e rasteve të reja.
Një ditë më parë, të mërkurën, policia vuri në pranga 7 persona dhe shpalli në kërkim një tjetër person që luante rolin e sekserit. Të arrestuar janë konkretisht:
-Albana Imami, 48 vjeçe, drejtoreshë në një nga degët e filialit të fondacionit;
-Blertina Kanani, 41 vjeçe, oficere kredie;
-Matilda Domi, 27 vjeçe, oficere kredie;
-Mihal Hanxhari, 41 vjeç, ish oficer kredie;
-Esmeralda Vaso, 38 vjeçe, oficere kredie;
-Orkida Driza, 41 vjeçe, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive;
-A. A., 32 vjeç, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive.
Policia njofton se vazhdojnë hetimet intensive për evidentimin e përmasave të kësaj skeme mashtrimi dhe përftimit nëpërmjet këtyre kredive fiktive.