Komisioni Rregullator ka përcaktuar rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve. Drafti është nxjerrë për konsultim, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme pritet që diaspora të votojë për herë të parë.
Regjistrimi i zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit realizohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që ndodhet jashtë vendit në datën e zgjedhjeve dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet për Kuvendin nga atje ku ndodhet, duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit.
Përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë paraqet kërkesë në mënyrë individuale për regjistrim në listën e zgjedhësve. Afati për paraqitjen e kërkesës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë para kësaj date.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njofton publikisht për hapjen e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit jo më vonë se 10 ditë përpara fillimit të këtij procesi.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve përmes Platformës, vendos mbi kërkesën për regjistrim të zgjedhësit brenda 5 ditëve kalendarike nga marrja e saj nëpërmjet PER.
Vendimi nëse do të përfshihet ose jo në listën paraprake të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit i njoftohet zgjedhësit në llogarinë e tij në PER, si dhe në adresën e email të deklaruar në platformë.
Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptarë që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim dhe që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.
Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje për Kuvendin. Në çdo rast, KQZ-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ruajnë bazën e të dhënave të zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit për çdo palë zgjedhje.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën paraprake të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh nga publikimi i saj mund të kërkojnë regjistrimin apo rregullimin e pasaktësive të regjistrimit të tyre në PER.
Po ashtu 60 ditë para datës së zgjedhjeve, KQZ miraton dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të KQZ listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit. Lista e zgjedhësve nga jashtë vendit përmban: emërtimin e zonës zgjedhore, llojin dhe datën e zgjedhjeve, si dhe përbërësit zgjedhorë të zgjedhësve.