Ish-presidenti Donald Trump dyshohet se ka qenë sërish shënjestër e një atentati në fushën e tij të golfit në Florida dhe autori i dyshuar ndodhet në paraburgim, kanë konfirmuar autoritetet amerikane.
Agjentët e Shërbimit Sekret vunë re tytën e një pushke që po kalonte nëpër disa shkurre dhe hapën zjarr, thanë zyrtarët. FBI tha se Trump ishte 275 deri në 455 m larg autorit në atë kohë.
Në vendngjarje u gjet një armë zjarri, së bashku me dy çanta shpine dhe një kamerë GoPro.
Një dëshmitar raportoi se kishte parë të dyshuarin duke vrapuar mes disa shkurreve dhe ishte futur në një makinë të zezë tip Nissan pasi agjentët qëlluan drejt tij disa herë.
Dëshmitari i bëri një fotografi të automjetit dhe targave. Mjeti u ndalua më vonë në Martin County, në veri të klubit.
“Ne morëm dëshmitarin dhe ai identifikoi personin që e pa duke dalë nga shkurret dhe që u fut në makinë”, tha sherifi Ric Bradshaw në një konferencë për media.
Në një email drejtuar mbështetësve të tij, Trump tha se ishte “i sigurt dhe mirë”.
“Asgjë nuk do të më ndalojë”, ka shkruar ai. “Unë kurrë nuk do të dorëzohem!”
Incidenti vjen pothuajse saktësisht dy muaj pasi një person i armatosur tentoi të vriste Trumpin në një tubim në Butler, Pensilvani, duke i qëlluar me plumb në vesh.
Tani ka një prani të madhe sigurie në rrugë dhe përreth pronës së ish-presidentit në Mar-a-Lago në Florida dhe fushës së tij të golfit aty në West Palm Beach.
Ryan Wesley Routh, një 58-vjeçar pronar i një kompanie të vogël ndërtimi, është arrestuar në lidhje me atentatin e dyshuar ndaj Donald Trump në Florida.