Qytetarët shqiptarë kanë qenë në situatë sa komike aq edhe kaotike prej disa ditësh, kur kreu i shtetit, Ilir Meta, paralajmëroi institucionet që të marrin masa për një tërmet apokaliptik, por që sizmiologët e rrëzojnë këtë teori. Sizmiologët shpjegojnë edhe lëkundjet në Korçë, për të cilët, janë normale pas tërmetit të 1 Qershorit.
Shefi i Institutit të Sizmiologjisë, Rexhep Koçi, një nxënës i shkencëtarit grek Tselenis, pranon se të tilla deklarata, për tërmet apokaliptik, që do të thotë me magnitudë 150 të shkallës Rihter, nuk mund të konsiderohen serioze. “Opinioni publik s’ka vend për shqetësim. Ballkani është vend sizmik, po tërmetet 150 ballë s’ka pasur dhe nuk parashikohet”, thotë Koçi për Tv Klan.
Instituti i Sizmiologjisë sqaron se nga monitorimet që bëjnë pa ndërprerje, nuk kanë vënë re ndonjë situatë për t’u shqetësuar, përveç aktivitetit sizmik të zakonshëm.
“Ne monitorojmë 24 orë në 24 dhe nuk kemi vënë re situatë shqetësuese. Pati tërmet të mërkurën në mëngjes në Korçë 2.4 ballë, që është normale pas tërmetit të 1 Qershorit”, tha ai. Tërmetet, pranon shefi i Sizmiologjisë, nuk mund të parashikohen në asnjë rast.
Pavarësisht sqarimeve të dhëna publikisht, presidenca ka insistuar këto ditë tek institucionet shqiptare, që t’i marrin seriozisht paralajmërimet e mediave të huaja, që citojnë deklaratat e përgënjeshtruara tashmë nga sizmiologu grek, Tselenis.
Do të bjerë apo s’do të bjerë tërmeti apokaliptik, kjo duhet parë nëse Presidenti Meta ka më shumë informacion se Instituti Sizmiologjik, por diçka është e sigurt, që deklarata e tij dhe tërmet i së mërkurës në Korçë ka sjellë panik te banorët e zonës juglindore.