Kreu i ri i Bashkisë së Devollit, socialisti Eduard Duro i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit ka nisur punën mëngjesin e të hënës në orën 6.30, ndërkohë që forca të shumta policie kanë rrethuar godinën e bashkisë për shkak të grumbullimit të militantëve të PD-së.
Nga ana tjetër ish kryebashkiaku demokrat Bledian Nallbati e cilëson këtë si një pushtim të godinës nga ana e kryebashkiakut socialist, ndërsa hedh akuza se ata mund të kenë grisur dhe vjedhur dokumente të rëndësishme. Aktualisht rreth 40 efektivë policie kanë rrethuar godinën e bashkisë së Devollit dhe janë në ruajtje të saj për të shmangur çdo incident të mundshëm me militantët e PD-së.
Kujtojmë se Duro u betua ditën e premte në mesditë, ndërsa në zyrë shkoi pasdite kur u largua ish-kryetari.
Në urdhër të tij, një person çmontoi derën së jashtme dhe të brendshme të bashkisë.
Ndërsa të hënën ish-kryetari i bashkisë së Devollit i zgjedhur nga PD-ja Bledjon Nallbati në orën 08:00 shkoi për të hyrë në institucionin që drejtoi për 4 vite, por zyra ishte zënë, ndërsa policia ishte vendosur para hyrjes për të mos e lejuar. Ai akuzoi se bashkia është kthyer si burgu 313, e rrethuar nga policia. Nallbati hodhi akuza se Eduard Duro, por edhe ata që kanë hyrë në bashki prej ditës së premte mund të kenë marrë apo grisur dokumente, prandaj shtoi se nuk mban përgjegjësi.
“Ky është realitet i hidhur i shtetit shqiptar. Sikundër e shikoni bashkia është kthyer në burgun 313, i zaptuar nga vetë shteti shqiptar, keni parë edhe pamje më të rëndë, institucioni është uzurpuar dhe marrë në mënyrën më të keqe të mundshme, si hajdutë si kriminelë, jashtë orarit zyrtar të punës. Unë jam kryetar i ligjshëm i zgjedhur me votat e 59% të qytetarëve të Devollit ku kanë shprehur vullnetin. Por partia shteti vendosi ta marrë dhunë, e rrethoi me polici.
Nuk e di si mund të funksionojë dhe grabitet nga vetë shteti. Ky është shteti dhe si drejtohet dhe qeveriset ky shtet. Sot është një ditë normale pune për ne, pasi nuk ka pasur një proces normal zgjedhjesh. Unë do të vijoj punën time me qytetarët, këta ta vijojnë me polici dhe me zyra të uzurpuara. Beteja jonë është për ligjshmëri. Unë do të jem me qytetarët, ndërkohë ky institucion mund të rrijë kështu, unë do të vij prapë nesër këtu me këta.
A do të hyni brenda? Më kujtoni mua uzurpator, jo ata janë këtu, unë jam kryetari i zgjedhur me dhunë. Para dy ditësh këtu kërciti vareja, u shkallmua dera. Institucioni ka brenda dokumente dhe shkresa dhe unë nuk mbaj përgjegjësi çfarë ka ndodhur. Hynë me dhunë, ju nuk u lejuan. Kanë marrë dokumentet, kanë grisur dokumente, kanë hequr apo shtuar, këtë nuk e di unë se çfarë kanë bërë. Këtë e di vetëm partia shtet, ky nuk mund të jetë vend normal. Nëse flasim për pushtim, Shqipëria është pushtuar nga turqit…”, u shpreh Nallbati për mediat.
Ndërsa kryebashkiaku i ri i Devollit, Duro ka sqaruar se forcat e policisë dolën në mbrojtje të godinës pasi ish kryebashkiaku Nallbati njoftoi se do të kishte grumbullime dhe protesta të militantëve të PD-së.
Duro gjithashtu tha se PD nuk lejon punonjësit e administratës të futen në zyrat e tyre dhe të vazhdojnë punën.
“Nga ana e ish-kryetarit është njoftuar se do të kishte një grumbullim njerëzish, ka disa punonjës bashkie dhe familjarët e tyre. Ata duhet të ishin në zyrat e tyre. Ish-kryetari njoftoi se do të kishte tubim para bashkisë. Ditën e shtunë kam pasur takime me disa punonjës të bashkisë, të cilët kanë ardhur dhe ditën e shtunë e kanë bërë ditë pune për të marrë informacion mbi organikën. Jam në pritje që punonjësit të vijnë në zyrë. Policinë e kam njoftuar unë. Nuk është normale por edhe grumbullimi i njerëzve nuk është normal. Punonjësit e bashkisë janë të ftuar të hyjnë në zyrë, i kam ftuar personalisht. Ndoshta nuk hyjnë se u vjen zor nga ish-kryetari ose janë detyruar nga persona të tjerë. Punonjësit do të hyjnë në punë, është detyrim ligjor”, u shpreh Duro.
Kryebashkiakët demokratë të cilët mbeten pa pushtet pasi nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, kundërshtojnë të lirojnë zyrat për të zgjedhurit e rinj vendorë dhe për këtë ata kanë mbështetjen e Partisë Demokratike. Në një dokument të shpërndarë nga sekretari i përgjithshëm i PD-së dhe të bërë publike nga realstory.al shkruhej se PD nuk njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe do mbështesë kryebashkiakët e vet, ndërsa nuk di sesi do të reagojë populli. Duke nënkuptuar se marrja e zyrave të bashkive nga të zgjedhurit e rinj vendorë mund të shoqërohet me akte dhune nga “populli”. I njëjti skenar që shkruhet në dokumentin e shpërndarë në strukturat e larta drejtuese të PD-së është duke ndodhur këtë të hënë në bashkinë e Devollit.