Skënderbeu i ri e nis me humbje, mundet nga Bylis

SPORT


Kthimi te Skënderbeu nuk do të jetë aq i thjeshtë për Ilir Dajën, i cili ka detyrën e vështirë që të ringrejë nga e para skuadrën që ka humbur shumë elementë thelbësorë të viteve të kaluara. Trajneri ka marrë detyrën pak ditë më parë dhe sot ka zbritur në fushën e lojës për një miqësore të organizuar përballë Bylisit, një skuadër më e kolauduar dhe që nxori në pah problemet që ka për momentin grupi i korçarëve i cili sheh shumë ndryshime në krahasim qoftë edhe me edicionin e kaluar.

Kështu në formacion ishin emra si Beiqri, Vitia e Mara, ndërsa debutonte afrimi më i fundit, Turtulli. Kurse nga grupi i zakonshëm i edicionit të kaluar ishin Pëllumbi, Dita, Bregu, Gripshi, Xhon e Krasniqi të cilët kanë filluar prej pak ditësh stërvitjen, por jo nën urdhrat e Dajës.


Ishte e dukshme që skuadra kishte shumë vështirësi në krijimin e lojës dhe në finalizimit, pa harruar riformatimin në mbrojtje me elementë të rinj. Kësisoj, Bylis shfrytëzoi këto gabime dhe shënoi 3 herë në portën e korçarëve në këtë duel, ndërsa ekipi i Dajës u përgjigj vetëm me golin e Alfred Mensah, futbollist që ka ardhur në provë te ata.

Kur ka vetëm pak ditë nga fillimi i sezonit, për Skënderbeun kjo është një këmbanë alarmi se duhet të lëvizë me shpejtësi për të ndryshuar situatën e krijuar, pasi klubi ka bërë të qartë se do një ekip konkurrues për Europën dhe miqësorja e sotme tregoi se aktualisht nuk është i tillë.




Skip to toolbar