Në seancën parlamentare të së hënës Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka folur për rezolutën e Parlamentit Europian ndërsa ka shprehur bindjen se deri në pranverë skeptikët europianë do të ndryshojnë qëndrim për negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Kam pasur mundësinë të isha prezent të PE të enjten, teksa diskutohej dhe miratohej rezoluta. Jam ndjerë krenar që eurodeputetët mbanin në duar flamurin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Holandezë, danezë dhe francezë e thanë qartë se vendimi i 18 tetorit ishte një gabim strategjik. Do doja t’iu thoja qytetarëve që është hera e parë që në PE kemi një shumicë, të cilat shpreh bindjen se Shqipëria ka ecur para në realizmin e reformës në drejtësi.
PE i sugjeron edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ta marrin si referencë reformën në drejtësi, të realizuar nga Shqipëria. Halli i opozitës rrugore nuk zgjidhet dot. Ata ikën vetë nga kuvendi. Është koha për të treguar se bojkotet demokratike nuk të çojnë asgjëkundi.
Arsyetimi i mos marrjes së vendimit ka të bëjë më çështje të brendshme në BE. Doja të bëja thirrje deputetëve se është në detyrën tonë historike që të vijojmë punën.
Instrumenti i vënë në dispozicion nga Bundestagu është udhërrëfyesi më i mirë. Deri në pranverën e ardhshme edhe ata që janë kundër do të ndryshojnë mendje, se duhet riparuar ai gabim strategjik”, u shpreh Balla.
Parlamenti Europian përmes një rezolute të miratuar pak ditë më herët i bën thirrje BE-së të vijojë me procesin e zgjerimit dhe të çelë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.